MENU
klinika

FSHF për kushtet në karantinë

Program për trajnimin në shtëpi të futbollistëve e të rinjve

23.03.2020 - 18:30

Federata e Futbollit ka lançuar një program kombëtar të përkujdesjes dhe trajnimit për futbollistët profesionistë, futbollistët e rinj dhe fëmijët e angazhuar në futboll, gjatë kësaj periudhë të karantinimit për shkak të virusit COVID-19.

Sektori i Ekipeve Kombëtare dhe Sektori Edukimit Teknik në bashkepëunim me drejtuesin e përgatitjes atletike në skuadrat tona kombëtare, Luigi Febbrari, kane përgatitur një seri videosh me ushtrimet përkatëse për të gjithë futbollistët profesionistë në vendin tonë.

Këto leksione, janë ndërtuar në bazë të programit teknik të kombëtares shqiptare si dhe mundësisë së kryerjes se tyre në kushte shtëpie. Kjo seri videosh do të publikohet në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si dhe në kanalet sociale dhe do të jetë e aksesueshme në çdo kohë për të gjithë futbollistët e interesuar.

partnere ne stervitje

Gjithashtu një dokument lidhur me menyren e te ushqyerit te futbollistëve gjatë kësaj kohe, është përgatitur nga drejtuesi mjekësisë sportive ne FSHF dhe kombëtares kuqezi, Gianluca Stesina. FSHF, nëpërmjet Departamentit Teknik dhe drejtuesve të ekipeve kombëtare të moshave, ka ndërtuar gjithashtu një seri videosh për të rinjtë dhe fëmijët e moshës 8-14 vjeç.

Është shumë e rëndësishme që fëmijët dhe të rinjtë tanë, tashmë të përfshirë në botën e futbollit, të vijojnë përgatitjen e tyre fizike dhe teknike në kushtet e shtëpisë. Këto leksione, do t’i ndihmojnë ata edhe për të kapërcyer stresin e qëndrimit në mjedise të mbyllura për ditë me radhë. Të gjitha këto instruksione pamore, do të shoqërohen edhe me shpjegime të shkruara, që mund të gjenden në faqen zyrtare të FSHF krahas videove si dhe në kanalet sociale.

Gjithashtu, sektori i Arbitrimit në FSHF, ka përgatur një program të detajuar trainimi që u është dërguar arbitrave të të gjitha kategorive, për tu ndjekur në kushtet e shtëpisë, me qëllim garantimin e formës dhe gatishmërisë së tyre për nisjen e garës në çdo kohë.

stervitje

Në kuadër të këtij projekti, FSHF ka lançuar më herët një konkurs me videot e fëmijëve duke luajtur futboll në shtëpi, me qëllim rritjen e vëmendjes dhe përkujdesjes për vogëlushët tanë përmes futbollit.

FSHF i bën thirrje opinionit publik, që duke respektuar pa asnjë diskutim karantinimin, të ndërtojmë një bashkëpunim në distancë dhe ta përfshijmë futbollin në aktivitetet tona ditore të fëmijve dhe të rinjve tanë në shtëpi. Një mirëkuptim nga ana e prindërve dhe e komunitetit është i nevojshëm në këto kohë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Këshillat e mjekut të Kombëtares

Dieta ushqimore për futbollistët në karantinë