MENU
klinika

Mund ta përmirësojë

Thomas Strakosha, rekord te Lazio që 25 vjeç

31.03.2020 - 16:55

Thomas Strakosha sapo ka festuar 25-vjetorin e tij, por mund të mburret që tani se ka një vend të veçantë në historinë e klubit të Lazios. Portieri shqiptar mban një rekord, të cilin mund ta përmirësojë në vijim. Gardiani i Kombëtares shqiptare në muajin janar hyri në renditjen e 10 gardianëve me më shumë ndeshje me fanellën e Lazios.

Shifra arriti në 154 ndeshje me fanellën bardhekaltër, duke e bërë atë portierin e 10-të me më shumë sfida të luajtura në historinë e klubit. Arritja bëhet edhe më prestigjioze nga fakti se asnjë portier jo italian nuk ka bërë më mirë se ai, pasi ata 9 që kanë luajtur më shumë janë të gjithë vendas.

Kjo është meritë e një vazhdimësie të jashtëzakonshme të gardianit shqiptar, i cili në tre kampionatet e fundit në 102 ndeshje ka munguar në fushë vetëm në 3 sfida. Në total ai regjistron 120 ndeshje në Serie A, 14 në Kupën e Italisë, 2 në Superkupë dhe 18 në Europë.

Shifra mbresëlënëse për portierin shqiptar që u bë titullar për shkak të dëmtimit të Marchetti-t 3 vjet më parë dhe tani është pjesë e ekipit që ka mbrojtjen më të mirë këtë sezon në Serinë A.

Nëse kampionati vazhdon, për Strakoshën do të jetë mundësia të kapërcejë edhe vendin e 9 të Gradellas, vendin e 8 të Blason dhe të arrijë legjendarin Sentimenti. Strakosha pret fundin e karantinës për të hedhur firmën në rinovimin e kontratës me klubin që nuk dëshiron ta lërë t’i ikë nga dora portierin shqiptar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Portieri shqiptar në merkato

Dy klube gjigante angleze duan Strakoshën