MENU
klinika

Ndeshjet pa tifozë

Vendimi zyrtar, mbyllen stadiumet për 1 muaj në Itali

04.03.2020 - 22:12

Qeveria italiane ka miratuar sot dekretin që mbyll dyert e të gjitha aktiviteteve sportive në territorin e këtij vendi deri më datën 3 prill. Ka qenë kryeministri Giuseppe Conte ai që ka konfirmuar edhe pjesën e dekretit sa i përket ndalimit apo zhvillimit pa praninë e tifozëve të aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare në vend për këtë periudhë.

Sipas dekretit në fjalë, deri në datën e caktuar, nuk mund të zhvillohen aktivitete me praninë e tifozëve në çdo lloj disipline sportive në ambiente të hapura apo të mbyllura, ndërsa për zona të caktuara ishte e ndaluar edhe zhvillimi i plotë i tyre.

Ndërkaq, në zonat ku do të luheshin ndeshje, apo kishte stërvitje, udhëzoheshin klubet dhe stafet mjekësore të tyre, që të bënin kontrollet e vazhdueshme për koronavirusin, në mënyrë që të ndalohej ndonjë përhapje e mundshme edhe mes sportistëve apo stafeve.

Tashmë është e qartë se nuk do të ketë ndeshje të Serisë A me tifozë dhe pritet një mbledhje e Ligës së Futbollit për të diskutuar hapat që do të ndërmerren në vijim për të caktuar kalendarin.

Ky do të jetë një telash më shumë sidomos për klubet italiane që luajnë në Kupat e Europës, pasi do të jenë të detyruar të luajnë pa mbështetës sfidat e tyre në arenën ndërkombëtare. Kështu, Juventus-Lyon do të luhet pa tifozë. Tashmë federata dhe Liga duhet të marrin vendimin për kalendarin.