MENU
klinika

I dha Kupën e dytë të Italisë

78 vite më parë shqiptari shënoi 3 gola për Juven

30.04.2020 - 20:02

Një histori jo thjesht për t’u rrëfyer, por natyrisht edhe për t’u ndjerë krenarë. Futbollistët shqiptarë sot luajnë në shumë ekipe prestigjoze të Europës, por i pari ishte Riza Lushta që veshi fanellën e Juventus në Serie A.

Ai lindi në Mitrovicë, më 22 janar 1916. Bëri hapat e parë me skuadrën e Rudari Trepça (e cila më vonë do të quhej FK Trepça), para se të nisej për në Tiranë në vitin 1934 për të filluar studimet në shkollën inxhinierike “Harry Fultz”. Me këtë rast, ai iu bashkua kampionit të dyfishtë shqiptar të atëhershëm, SK Tiranës, ku filloi të njihej si golashënues i shquar, duke shënuar 39 gola në 69 ndeshje.

Nga viti 1934 deri në 1939, golat e tij i mundësuan bardhebluve të fitojnë katër tituj kampion dhe një Kupë të Shqipërisë. Ndërsa karriera e sulmuesit ishtë në kulmin e saj, Italia fillon pushtimin e Shqipërisë në vitin 1939. Italianët ishin shumë të apasionuar për futbollin dhe filluan të ndiqnin me kujdes edhe atë shqiptar.

Pas pak kohësh në veshët e tyre mbërritën thashetheme për ekzistencën e një “makine golash”. Kështu, Lushtën e marrin përtej Adriatikut dhe e bëjnë pjesë të skuadrës së Barit, që do të ishte edhe eksperienca e tij e parë në Itali.

Sezoni i parë nuk është në nivelin e duhur. Lushta luan vetëm 19 ndeshje dhe shënon tre gola. Sidoqoftë, kaq mjaftoi për të zgjuar interesin e gjigantëve të Juventus. Bardhezinjtë e bënë pjesë të skuadrës së tyre në vitin 1940.

Në Torino Lushta gjen habitatin e duhur dhe arrin të shpërthejë, duke u bërë një idhull për tifozët dhe një lojtar themelor për skuadrën. Pas një sezoni të parë mesatar me “Zonjën e Vjetër”, të përfunduar me nëntë gola në 26 ndeshje të kampionatit, në sezonin e tij të dytë Lushta shpërtheu me 16 gola në 28 ndeshje, duke e bërë atë golashënuesin më të mirë të huaj në kampionat.

Tifozët bardhezi Lushtën e mbajnë mend atë për tregolësh t ë jashtëzakonshëm të vitit 1942, që gjunjëzonte rivalët e Milanit dhe i jepte Kupën e dytë të Itlaisë në histori Juventusit. Lushta gjithashtu fitoi çmimin si golashënuesi më i mirë në i sezonit në këtë kompeticion, me tetë gola në gjashtë ndeshje, duke përfshirë edhe hat-trick-un e famshëm në finale.

Sezonin vijues (1942-1943), Lushta vazhdoi të shënonte rregullisht, duke bërë që rrjetat të tundeshin plot 18 herë në 28 ndeshje. Më pas sezoni i tij i fundit te Juventus mbetet i pazbardhur, por disa statistika të zbuluara tregojnë se Lushta luajti vetëm pesë ndeshje dhe arriti të shënojë po aq gola.

Pas largimit nga Juventusi në fund të sezonit 1944-1945 Lushta iu bashkua Napolit, ku nuk arriti të bindë. Atje ai luajti shumë pak dhe arriti të shënojë 6 gola. Pas Napolit, Lushta kaloi aventura me skuadra modeste si Piemonte apo Alesandria, para se të largohej drejt Francës për të luajtur më Côte d’Azur dhe AS Cannes.

Ai u kthye në Itali për të përfunduar karrierën e tij në klube më të vogla si Siena, Forli dhe në fund me Rapallo Ruentes. Ai vari këpucët në gozhdë në vitin 1954, në moshën 39-vjeçare. Në total, Riza Lushta ka luajtur 170 ndeshje në Itali, duke e gjetur rrjetën 68 herë.

Përveç kontributit të tij në Itali e Francë, nuk e harroi kurrë futbollin shqiptar. Lushta është një nga 11 themeluesit e Kombëtares shqiptare të futbollit, e themeluar në vitin 1936, nën drejtimin e trajnerit hungarez Samo Singer. Nuk ka statistika zyrtare të shkruara dhe të detajuara, por kolegë dhe ndjekës të kombëtares së asaj kohe tregojnë se Lushta ka luajtur 35 ndeshje me Shqipërinë dhe ka arritur të shënojë 30 gola.

Mbi të gjitha, Riza Lushta vlerësohet si një nga qendërsulmuesit më të mirë të futbollit italian. Ai është gjithashtu futbollisti i parë shqiptar, që ka “emigruar” dhe ka arritur nivelin më të lartë në Europë. Ai i hapi rrugën emrave të tjerë si Naim Kryeziu dhe Loro Boriçi. Lushta mban një rekord të pathyeshëm edhe ditët e sotme, si golashënuesi më i mirë shqiptar në pesë kampionatet kryesore me 68 golat e tij të shënuar në Serie A.

Rizai jetoi në Torino, qyteti ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. Sipas disa artikujve, Lushta jetoi një pension të qetë të rrethuar nga familja dhe miqtë e tij, deri në ndarjen nga jeta në vitin 1997. Sot, emri i tij jeton në qytetin e tij të lindjes, Mitrovicë, i cili e nderoi, duke i dhënë emrin e tij stadiumit të qytetit, ku luan sot KF Trepça ’89.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN