MENU
klinika

Përgjigjet OBSH

A mund të sëmuren përherë të shëruarit nga COVID-19?

25.04.2020 - 12:40

“Nuk ka ende as edhe një provë të vetme shkencore deri më tani që të lë të kuptohet se personat e rikuperuar nga COVID-19 të kenë krijuar antitrupa në sistem që i mbrojnë ata nga një infektim i dytë”.

Është kjo një nga deklaratat më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që në një farë mënyrë venit shpresat e mjekimit me anë të terapisë së plazmës konvaleshente, të cilën zyrtarët kinezë, por edhe shkencëtarë të vendeve të ndryshme të botës, e kanë quajtur si një nga mundësitë më të mira për të mjekuar pacientët me COVID-19, për sa kohë nuk ka një vaksinë.

Në një përmbledhje shkencore, Agjencia e Kombeve të Bashkuara, paralajmëroi qeveritë për “pasaportat e imunitetit” ose “certifikatat pa rrezikshmëri” dhe mos zbatimin e këtyre praktikave tek njerëzit të cilët janë të infektuar, me argumentin se saktësia e tyre nuk është e garantuar.

Praktika në të vërtetë mund të rrisë rreziqet e përhapjes së vazhdueshme të infeksionit, pasi njerëzit të cilët janë shëruar prej sëmundjes, mund të injorojnë këshillat për marrjen e masave paraprake standarde kundër virusit, thuhej më tej në deklaratën e OKB-së.

“Disa qeveri kanë sugjeruar që zbulimi i antitrupave të SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, mund të shërbejë si një ‘pasaportë imuniteti’ ose ‘certifikatë pa rrezikshmëri’ që do t’u mundësonte individëve të udhëtojnë apo të rikthehen në punë, duke supozuar se ata janë të mbrojtur kundër një infeksioni të dytë. Kjo teori nuk është vërtetuar ende, dhe nuk ka prova që këta njerëz të kenë krijuar anti-trupa në sistemin e tyre imunitar”, thuhet në deklaratën e OBSH.