Letërsia i shërben shoqërisë, sepse ndihmon që kushdo të kuptojë më mirë, veten dhe universin ku i ka rënë për pjesë të jetojë. Shkrimtarët e mëdhenj me emër botërorë, si Shekspiri, Tolstoi, Volteri, Hygoi, Tueni e shumë të tjerë, janë shkrimtarë, filozofë, historianë, sociologë, racionalistë, kritikë të mprehtë të zakoneve, ekspertë në vizatimin e duhur të skemave e të betejave; të përshkrimit të ndjenjave personale e të qindra karaktereve nga të gjithë shtresat e shoqërisë. /Konica.al/Ke ç’lexon, studion e mëson nga veprat e tyre, që janë mrekullia e vërtetë e dijes dhe e imagjinatës në:
“Depërtimin e botës e të çdo personi; në rrjedhjen e gjuhës së pastër; të ngritjes së artit poetik në majat më të larta; të karakterit demokratik dhe humanist të veprave; në shumëllojshmërinë e tipave, situatave, personazheve, epokave, popujve e mjediseve shoqërore; në qartësimin se: ç’është jeta? Ç’vend zë? e Ç’rol luan njeriu në të? apo në vlerësimin e lumturisë, kur të tjerët i bën të lumtur (në këtë drejtim nuk kanë munguar dhe shembujt e vetë shkrimtarëve, jeta që bënte Tolstoi); të analizave psikologjike të jashtëzakonshme; në të hedhurit e rrëfimeve përtej pamjeve të brendshme dhe të thella të natyrës njerëzore; në nxjerrjen e konkluzioneve nga përplasja me qenien e me kohën; në trajtimin e ideve me një realizëm të mprehtë e përparimtar; të dashurisë reciproke ndërmjet njerëzve; në zbatimin e ligjit themelor të krijesës njerëzore, të cilën vetë Zoti e ka shkruar në zemrat e njerëzve; në lirinë e mendimit e të botimit; në demaskimin e arbitraritetit dhe shtypjes; në demaskimin e rendit shoqëror, kur bëhen përpjekje të padrejta për ta mbajtur atë më këmbë nga tiranë, të korruptuar; shfrytëzimi i korrespondencës, (Volteri) veç veprave, me mbretër, perandorë, ministra, gjykatës, klerikë e të tjerë (Angli, Spanjë, Itali Zvicër, Gjermani, Rusi), me qëllim të fuste filozofinë e tij që përfshihet me tri fjalë: drejtësi, zemërgjerësi, shpirtmirësi./Konica.al
Por edhe për ata që kanë në dorë pushtetin, në fakt, duke dashur të shtypin për të qeverisur, janë të dënuar t’i hedhin hapat me mend në kokë. Nëse të tërhequr nga pasioni, apo të shtrënguar nga kundërshtarët, tejkalojnë caqet e arsyetimit, zbresin në një udhë të ndyrë dhe pikërisht me një gjë të tillë ata vetë shënojnë fillimin e rrënimit të tyre. Kështu është themeluar jeta: “Çdo e mirë bashkëshoqërohet me të keqen, në këtë tokë s’ka mirësi pa urrejtje, madhështi pa zili, se edhe sendi më i vogël nuk ka mbetur pa hije”.
“Kur blen një libër, nuk keni blerë thjesht disa fletë me bojë, por një jetë tërësisht të re”…
Christopher Morley.
“Pavarësisht se sa i zënë je, gjej kohën për të lexuar ose rri në injorancën që vetë e zgjodhe”…
Konfuci.
10 librat më të mirë të të gjitha kohërave, që duhen lexuar medoemos:
- “Ana Karenina”, Leon Tolstoi.
- “Zonja Bovari”, Gustav Flober.
- “Lufta dhe Paqja”, Leon Tolstoi.
- “Getsbi i madh”, Skot Fitszherald
- “Lolita”, Vladimir Nabokov.
- “Mesmarsi”, Xhorxh Eliot.
- “Aventurat e Hakëllber Finit”, Mark Tuein.
- “Hamleti”, Uilljam Shekspir.
- “Novelat e Çehovit”, Anton Çehov
- “Në kërkim të kohës së humbur”, Marsel Prust.
Shekspiri, konkluzionet tragjike nuk i nxjerr nga subjektiviteti i heronjve, nga kapriçot e shpirtit, por nga përplasja me qenien, me kohën, që shfaqet si problem hamletian: “Të rrosh apo të mos rrosh”. Kur kjo përleshje bëhet për jetë a vdekje, kur njeriu është i denjë ndaj botës, domethënë paraqitet si forcë aktive, e lirë në zgjedhjet që bën dhe i panënshtruar ndaj rrethanave./Konica.al