MENU
klinika

"Më trego: Tell me"

Kosova pjesë e dokumentarit unik botëror mbi izolimin 2020

26.04.2020 - 14:22

         Në bashkëpunim me disa prej regjisorëve më të talentuar në botë, nga shtete si: Gjermania, Kanada, ShBA, Brazili, Franca dhe Kolumbia, po krijohet një dokumentar që ka për qëllim të përshkruajë njerëzimin në këtë kohë izolimi, pjesë tyre është edhe regjisorja kosovare Norika Sefa, raporton KultPlus.

Norika Sefa, ka theksuar se qëllimi është të dokumentojë këtë pandemi, duke qenë sa më afër njerëzve dhe rrëfimeve të tyre.

“Ky dokumentar titullohet “Më trego”, apo “Tell me”, ku regjistrohet mesazhi zanor (voicemail) në secilin prej shteteve të përmendura. Përmes të një telefonate të thjeshtë anonime, ju mund të lini mendimet, rrëfimet, ndjenjat ose çfarëdo tjetër… edhe një këngë… që do të përshkruante sesi po ia dilni në këto ditë izolimi. Zëri është plotësisht anonim. Ideja jonë është të përdorim pjesë të këtyre thirrjeve, tregimeve tuaja dhe të bëjmë një film, me qëllim me portretizu njerëzimit në izolim, nga perspektiva e shumë njerëzve e në shumë vende të ndryshme të botës” – ka shpjeguar, Sefa.

Sefa, më pas, ka njoftuar se numri ku qytetarët e Kosovës mund të telefonojnë është +38346185635 (viber, whatsapp).

“Ju mund të thirrni ose edhe dërgoni mesazhin zanor të xhiruar paraprakisht. Gjithçka do të mbetet anonime. Ne nuk pranojmë mesazhin e shkruar, ngase për ne, ka rëndësi ta kemi zërin si dëshminë më të sinqertë të ngjarjes që na ofrohet” – ka thënë Sefa, për këtë dokumentar që rendit Kosovën, mes shteteve më të fuqishme të botës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Komedia e zezë premierë botërore

“Cirku fluturues” konkurron në Estoni