MENU
klinika

Rrëfimi i Michael Jordan

“Kur nisa te Bulls, kishte drogë, alkool e femra”

25.04.2020 - 17:14

Kjo periudhë e përhapjes së pandemisë së Covid-19, në mungesë të aktiviteteve sportive, ka shërbyer edhe për të intervistuar disa yje të sportit, që ka rrëfyer edhe anët e errëta të karrierës së tyre apo ekipet që kanë përfaqësuar. I tillë është edhe rasti i legjendës së NBA, Michael Jordan.

Ish-ylli i basketbollit amerikan kujton muajt e parë me skuadrën e Chicago Bulls, ekip me të cilin ai shkroi historinë. Jordan i ka shokuar të gjithë me rrëfimin e tij në një dokumentar të “ESPN”, që është shfaqur së fundmi në platformën “Netflix”.

“Kur erdha te Bulls, ishte një rrëmujë e madhe. Aty gjeje femra, alkol, drogë. Unë isha i ri, por veteranët e skuadrës bënin gjëra që nuk i kisha parë kurrë më parë”, – kujton Jordan, që shton se ky nuk ishte ambienti që kishte shpresuar të gjente, ndërkohë që ishte vetëm 21 vjeç.

Asokohe, skuadra e Chicago Bulls ishte ndër më të dobëtat në NBA dhe vetëm pas ardhjes së Michael Jordan ekipi u ngjit në majë. “Një herë, para se të niste kampionati, në një hotel nisa të trokisja në të gjitha dyert për të gjetur shokët e skuadrës”, – kujton Jordan.

“Në një dhomë kishte shumë zhurmë dhe kur trokita pyetën: -Kush është? –U thashë kush isha dhe nga brenda dëgjova: -Është ai i riu, lëreni të hyjë. E hapën derën dhe në dhomë ishte i gjithë ekipi. Aty kishte femra, marijuanë, alkool. Ishte si një cirk. Nga ai moment mbeta vetëm”, – tha Jordan.

“Kishte viza me kokainë kudo, cigare dhe femra. Menjëherë u tregova i qartë me ta, duke u thënë: Nëse vjen dikush dhe më shikon në këtë dhomë, do të jem fajtor po aq sa ju’, dhe kështu u largova” – kujtoi 57-vjeçari, që shton se gjithnjë ka qenë kundër përdorimit të drogës: “Nuk kam përdorur asnjëherë kokainë dhe marijuanë”.