MENU
klinika

Kjo i bën ekspertët botërorë të 'ngrejnë vetullat'!

Pse mjekësia turke vazhdon të mahnisë botën?

17.04.2020 - 09:13

Turqia është një nga 10 vendet me përhapje më të madhe të koronavirusit në botë dhe numri i të prekurve rritet me 4,000 raste në ditë. Ndërkohë nga ana tjetër, shkalla e vdekshmërisë është e ulët, gjë që i ka bërë ekspertët botërorë të ngrejnë vetullat.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, argumenton se shkalla e ulët e vdekshmërisë në Turqi – pak më shumë se 2% – është rezultat i kujdesit shëndetësor të vendit dhe protokollit që është ndryshe nga vendet e tjera.

Koca thotë se ndryshe nga vendet e tjera, qasja e Turqisë për të luftuar Covid-19 është rreth gjurmimit të kontakteve në vend të testimit të përgjithshëm ose testimit pas shfaqjes së simptomave. Ata gjithashtu e kanë vonuar intubimin duke përdorur oksigjen me frekuencë të lartë për një periudhë më të gjatë kohore dhe sipas ministrit, kjo ka dhënë rezultate të mira.

Turqia përdori hidroksiklorurin, ilaç për malarian, dhe favipiravirin, një antiviral japonez, shumë më herët se vendet e tjera. Pavarësisht se ekspertë mjekësorë e kanë kundërshtuar përdorimin e ilaçit të malaries, për shkak të efekteve anësore, Dr. Nuri Aydin, presidenti i Shkollës së Mjekësisë në Universitetin e Stambollit, tha se “ne po mundohemi të shpëtojmë jetë”. Sipas tij, përdorimi i ilaçit të malaries zvogëlon kohën që pacientët qëndrojnë në terapi intensive.

Aydin thotë se për momentin nuk ka ende prova të mjaftueshme për të botuar hulumtimet e tyre, por “koha do të tregojë që rezultatet janë të vërteta”.

Gjithashtu, në vend që pacientët të qëndrojnë të shtrirë, ata vendosen të kthyer paksa anash dhe kjo ka dhënë rezultate pozitive. Ndërkohë Turqia ka filluar të përdorë plazmën e pacientëve që u shëruan nga koronavirusi, për të shëruar sëmundjen te ata që ende po e luftojnë atë.

Përdorimi i plazmës së gjakut të pacientëve të shëruar u njoftua edhe nga një zyrtar kinez në mes të shkurtit. Qasja ndaj kësaj ideje është një mënyrë logjike dhe premtuese për të trajtuar pacientët e sëmurë, thanë asokohe ekspertë të Live Science, website me përmbajtje artikujsh shkencorë.

Antitrupat janë proteina, të cilat sistemi imunitar i prodhon për të luftuar viruset, bakteret ose substancat e tjera, të huaja për organizmin. Antitrupat janë specifikë për secilin “pushtues”. Sidoqoftë, trupi ynë kërkon pak kohë për prodhimin e tyre. Nëse i njëjti virus/bakter përpiqet të hyjë sërish në organizëm, prodhimi i antitrupave është më i shpejtë.

Shtojmë se Turqia nuk pati asnjë të prekur nga Covid-19 deri në mes të marsit, gjë që sigurisht i dha kohë të përgatitej. Nga ana tjetër, sistemi mjekësor turk është i njohur për kapacitetin e tij.

Si një përgjigje ndaj Covid-19, vendi zhvilloi programe për prodhimin dhe shpërndarjen e mjeteve të higjienës personale. Ato u shpërndanë jo vetëm në Turqi, por edhe jashtë saj, në më shumë se 30 vende. Shkollat profesionale të Ministrisë së Arsimit u shndërruan në punëtori për të prodhuar maska për fytyrën, trupin dhe veshje të tjera mbrojtëse.

Përsa i përket karantinës dhe lëvizjeve, masat e Turqisë i gjeni të përmbledhura më poshtë:

– Gjatë javës, qëndrimi në shtëpi është i detyruar vetëm për personat nën moshën 20-vjeçare dhe për ata mbi 65 vjeç. Të tjerët, janë teorikisht të lirë për të dalë, megjithëse disa biznese janë të mbyllur.

– Restorantet janë hapur, vetëm për shërbimeve delivery ose për t’i marrë porositë vetë.

– Maskat janë të detyrueshme në mjedise publike, si tregjet.

– Maskat shpërndahen falas në farmaci dhe për ata që nuk mund të dalin, u dërgohen në shtëpi.

– Nëpër shtëpitë e njerëzve në nevojë ose atyre që nuk mund të dalin, shkojnë vullnetarë dhe policë.

– Të moshuarit mund të telefonojnë ekipin e kujdesit nëse u nevojitet gjë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Të mos e paguajmë arin me të vërtetën!"

“Shkenca në stres”, fake news në garë me rezultatet