Duke nisur nga sot, Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të heq tarifën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke aplikuar masën e reciprocitetit me Serbinë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, para marrjes së vendimit pohoi se “po e fillojmë zbatimin gradual të reciprocitetit si zëvendësim për tarifën, dhe besoj ta keni vërejtur që ne me këtë rast i referohemi vetëm reciprocitetit me Serbinë, që do të thotë se me Bosnjë dhe Hercegovinën e heqim tarifën 100 për qind pa asnjë shtesë tjetër”.
Cfarë thuhet në vendim?
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës duke vazhduar angazhimin e përmbushjes së obligimeve të saj ligjore dhe kushtetuese, ka zhvilluar mbledhjen korresponduese në të cilën ka miratuar Vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.
Vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellwse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellese të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi,
Vendimin e miratuar sot janë të obliguara ta zbatojnë policia kufitare, dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Zbatimi i këtij vendimi do të rishikohet së paku një herë në muaj. Po nga ky vendim shfuqizohen vendimet e Qeverisë nr. 01/76 i 21 nëntorit 2018 dhe nr. 06/82 i 28 dhjetorit 2018. Vendimi do mbetet në fuqi deri më 15 qershor 2020, kur do të bëhet vlerësimi i zbatimi të tij.
Qeveria vlerëson se masat e reciprocitetit janë instrument i marrëdhënieve mes shteteve sovrane i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare përmes marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare, si:
-Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregti (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994;
–Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) e vitit 2007
-Traktati i Komunitetit të Transportit, i nënshkruar nga Bashkimi Evropian, Serbia dhe Republika e Kosovës, krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor;
Politika Tregtare e Kosovës, miratuar nga Qeveria më 2009, synon që përfitimet nga liberalizimi i tregtisë të jenë më të larta dhe më të qëndrueshme. Mirëpo Serbia ka vendosur një sërë barrierash tregtare jotarifore ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë barrierat në transit, barrierat teknike dhe barrierat politike. Kështu, që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe kanë shkaktuar një deficit të lartë tregtar për Republikën e Kosovës.
Këto janë arsye të mjaftueshme që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ta miratojë këtë vendim”.
Vendimit të sotëm Qeveria ia ka bashkangjitur edhe propozimin për masa të reciprocitetit për të rregulluar tregtinë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, parashtruar nga Grupi Punues për Barrierat Tregtare i Ministrisë.
Kujtojmē se tarifën doganore 100 për qind e vendosi ne nentor te 2018-es Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryemitistrit Ramush Haradinaj.
Që nga vendosja e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.
Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.
Vendosja e kesaj takse ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.
Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj,u deklaruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.
Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë pasi Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë në Kosovën në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.