MENU
klinika

Mbrojtësi i Kombëtares

Balliu “thyen” rregullat: Po shënova, i përqafoj të gjithë

21.05.2020 - 14:28

Ivan Balliu shpreson që shumë shpejt të kthehet në fushën e lojës dhe të festojë, ashtu siç ka bërë shumë herë në këtë sezon me fanellën e Almerias, ku është kthyer në një titullar fiks. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është një prej të paprekshmëve të këtij ekipi, i cili po lufton për ngjitjen në La Liga.

Ndaj edhe Balliu, në intervistën e tij të dhënë nëpërmjet rrjeteve sociale, ka shpjeguar se si po përjetohet kthimi në fushë dhe fakti që ekipet mund të luajnë çdo 72 orë për të mbyllur këtë edicion.

“Kemi fatin që kemi një departament mjekësor me shumë fizioterapistë për rikuperimet. Përgatitjet e ndeshjeve do të jenë të vështira. Por kemi një staf shumë të mirë. Meqë objektivi është i madh, do të kemi kohë për të pushuar më pas dhe ta festojmë në Ibiza.

Futbolli tani do të jetë shumë më tepër fizik dhe kush arrin më mirë në minutat e fundit, do të sigurojë shumë fitore, ndaj duhet punuar shumë pasi vetëm cilësia nuk fiton, por të ndihmon. Nëse shënoj gol tjetër, e sigurt që do t’i përqafoj të gjithë. Këto rregullat që nuk mund të prekësh një shok skuadre në fund harrohen për shkak të presionit e tensionit të ndeshjes” – u shpreh ndër të tjera Balliu.

Almeria ndodhet në vendin e tretë në Segunda Divizion, 6 pikë larg kreut dhe 5 ndaj vendit të dytë, por vetëm 2 të parat hyjnë direkt, ndaj skuadrës i duhet shumë për të siguruar ngjitjen në La Liga.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN