Mungesën e personazheve të dashura të kukullave, kanë ndier veçanërisht fëmijët. Por edhe pse në këto kushte, aktorët e Teatrit të Kukullave, Jorida Meta dhe Shegushe Bebeti, për herë të parë realizojnë online rrëfime në “Shtëpinë e përrallave”.
Vogëlushët, më në fund kanë “Shtëpinë e përrallave”, ku të përkundin imagjinatën në rrëfenjat më të dashura për ta. Në këto ditë izolimi, aktoret Jorida Meta, Shegushe Bebti dhe piktori Renato Aliçkolli bëjnë të mundur, që nga shtëpia fëmijët të shikojnë përrallat më të njohura përmes imazheve ndjellëse të ilustruara nga Aliçkolli.
“Ilustrimi i përrallave është një proces më vete, ka nevojë për ‘regji’ tjetër, që në bashkëpunim me artistet, e bëj unë. Marr regjistrimin e përrallës edhe krijoj në mënyrë origjinale ilustrimet e karaktereve, më pas vazhdoj me montimin, grafikën, derisa përralla përfundohet”, është shprehur Renato intervistuar nga mediet, i cili ka përfunduar studimet e larta për multimedia pranë Universitetit të Arteve, ndërsa me Teatrin Kombëtar ka bashkëpunuar edhe me të tjera shfaqje, si për videoproduksionet për “E bukura edhe bisha” apo “Aladini” etj.
Nga “Hirushja”, “Aventurat e inspektorit pinguin”, “Hansi dhe Greta”, çdo javë në “Youtube” tek “Shtëpia e përrallave” fëmijët do të gjejnë një rrëfim në gjuhën shqipe, ku historitë bëhen magjepsëse falë interpretimit të aktorëve.
“Kjo iniciativë lindi si nevojë e mbylljes së aktiviteteve kulturore edhe parqeve, ku fëmijët luajnë. Na kanë pritur shumë mirë, sepse përrallat klasike i duan fëmijët edhe prindrit, të cilët, mezi presin përrallën e radhës. Shegushja ka zgjedhur një cikël përrallash të botuara në shqip, ndërsa unë kam zgjedhur përrallat klasike, që të jenë jo vetëm argëtuese, por edhe edukuese, të kenë një mesazh për të përcjellë, si për shembull, mbajtjen e ambientit sa më pastër etj”, – ka theksuar aktorja e Teatrit të Kukullave, Jorida Meta.
Aktroja përfundon se mungesa e spektatorëve të vegjël në teatër, ndihet shumë, gjatë kësaj periudhe të vështirë, megjithatë, ata janë shpresëplotë, se duke treguar kujdesin e duhur, në të ardhmen do t’ia dalin më së miri, të jenë sërish pranë njëri-tjetrit.