Kategoria Superiore është e vendosur që të rinisë më 3 qershor. Të paktën kjo është dëshira e FSHF-së dhe e klubeve, që po vijojnë intensivisht edhe me stërvitjet në grupe, madje i gjithë ekipi.
Ende pa një vendim përfundimtar të Qeverisë për datën e rifillimit të kampionatit dhe duke u nisur nga deklarata e zv.trajnerit të Vllaznisë, Safet Osja, që pohonte se Superliga mund të shtyhej më 10 qershor, Konica.al kontaktoi me shefin e garave në FSHF, Lusien Nyrishmi, i cili u përgjigj shkurt: Federata dhe klubet janë gati për më 3 qershor, nuk kemi asnjë informacion nga Ministria e Shëndetësisë.
E thënë qartë, futbolli shqiptar pret dritën jeshile për aktivitetet zyrtare nga Qeveria, ashtu siç u dha për stërvitjet. Konica.al kontaktoi disa trajnerë, duke i pyetur se si ndikon kjo situatë tek ekipet e tyre.
Të gjithë ishin të mendimit që duhej të fiksohej sa më parë data e saktë e rinisjes, pasi në ditët e fundit skuadrat përgatiten specifikisht për ndeshjen e parë edhe në varësi të kundërshtarit, shto këtu edhe masat shtesë që duhen ndërmarrin klubet për skuadrat që do të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, teksa u duhet të prenotojnë edhe hotelin me një protokoll krejt tjetër tashmë. Na ndajnë edhe 8 ditë nga 3 qershori dhe ende ristarti i garave nuk ka një “vulë” nga Qeveria shqiptare.