MENU
klinika

Nga New York Times

Merkel e theu më në fund “tabunë gjermane”!

19.05.2020 - 15:03

Përballë fatkeqësisë ekonomike dhe kërcënimit të koronavirusit që po vazhdon të ndajë Bashkimin Evropian, kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë të hënën ra dakord të mbështesë idenë e borxhit kolektiv evropian, për të ndihmuar ato vende që janë goditur më shumë nga pandemia.

Nëse shtetet e tjera anëtare bien dakord me planin, do të ishte një hap i madh drejt një Evrope më të unifikuar dhe një shenjë që pandemia në të vërtetë mund ta bashkojë edhe më shumë, në vend që ta copëtojë atë.

\Merkel u bashkua me Presidentin Emmanuel Macron të Francës për të propozuar huazimin 500 miliardë euro, ose 545 miliardë dollarë, për një fond të përbashkët rimëkëmbjeje. Shlyerja e tij do të ishte përgjegjësia financiare e të gjithë bllokut, por kryesisht do të përfitonte jugu, i cili është prekur më shumë nga virusi.

Një qasje e tillë e përbashkët për huazimin është kundërshtuar prej kohësh nga Gjermania dhe vendet e tjera anëtare në veri, dhe ky ngurrim ka dëshmuar një pengesë për integrimin e mëtejshëm evropian.

Vitet e fundit, Bashkimi Evropian është prekur nga një seri sfidash që kanë tronditur themelet e saj, nga kriza e migrantëve deri në daljen e Britanisë nga blloku. Tani, pandemia është duke e ndarë më tej atë, duke shkaktuar mbylljen e kufijve brenda bllokut dhe duke dëmtuar rëndë ekonomitë e shteteve anëtare.

Shtetet jugore kanë kërkuar ndihmë dhe veprim më të madh kolektiv. Në Itali, shumë ndjehen të braktisur nga fqinjët e tyre, dhe ndjenja anti-evropiane dhe populiste është spikatur dukshëm.

Përballë kësaj emergjence, tha Macron, të dy fuqitë e mëdha të Evropës kanë rënë dakord të përpiqen me “një strategji të vërtetë të përbashkët për të plotësuar buxhetin tonë evropian”. “Ky është një hap i madh,” tha ai.

Mujtaba Rahman, shefi analist evropian për Grupin Eurasia, tha, “’Është një revolucion evropian”.

Për herë të parë, Rahman tha, Evropa do të jetë në gjendje të “mbledhë para dhe t’i transferojë ato drejtpërdrejt në vendet, rajonet dhe industritë që e kanë më të nevojshme, pa e dëmtuar më tej situatën e tyre ekonomike duke rritur borxhin e tyre”.

“Ne po përjetojmë krizën më të madhe në historinë tonë,” tha zMerkel në një konferencë të përbashkët me Macron. “Eshtë koha për të luftuar përsëri. Gjermania dhe Franca po luftojnë së bashku për idenë evropiane. ” Ajo shtoi: “Për shkak të natyrës së pazakontë të krizës ne po zgjedhim një rrugë të pazakontë”.

Për Merkel, propozimi mban rreziqe politike në vend, dhe mund të forcojë partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, që ka një platformë euroskeptike.  Por masa mund të jetë gjithashtu mënyra e vetme për të shpëtuar një bashkim monetar thellësisht të ndarë dhe trashëgiminë e kancelares për unitetin evropian.

Propozimi duhet të pranohet nga 25 shtetet e tjera anëtare të bllokut, disa prej të cilave kanë refuzuar detyrimet kolektive në të kaluarën.  “Ende ka punë për të bërë,” pranoi Macron.

Detajet e planit ishin të pakta të hënën, por drejtuesit thanë se paratë do të sigurohen për sektorët e ekonomisë dhe rajoneve që preken më shumë nga virusi. Kjo do të përfshijë vende si Italia dhe Spanja, kostot e huazimit të të cilave janë shumë më të larta se vendet si Gjermania.

Ata që marrin fondet nuk do të jenë përgjegjës për shlyerjen e tyre, tha Macron. Kjo do të jetë përgjegjësia e Bashkimit Evropian në tërësi përmes buxhetit të tij të përbashkët.

Kritika, ka të ngjarë të vijnë nga Hollanda, Finlanda, Suedia apo Austria, të konsideruara skifterë fiskalë.

Masa e guximshme nga Franca dhe Gjermania ishte një përpjekje për të zgjidhur një nga sfidat me të cilat përballet komisioni dhe presidentja, Ursula von der Leyen.

Macron e quajti propozimin franko-gjerman “një ndryshim të vërtetë në filozofi”. “Unë mendoj se është një transformim shumë imadh, dhe është ajo që duhet “, tha presidenti francez.

Përkthyer dhe përshtatur nga New York Times/ Konica.al