MENU
klinika

Ende pa rinisur gara

Shkeli protokollin, ekipit kryesues i zbriten 6 pikë

29.05.2020 - 11:29

Ekipi i LASK, që kryesonte Bundesligën austriake, ka humbur vendin e parë pasi iu zbritën 6 pikë në renditje. Komiteti ekzekutiv i Federatës austriake i hoqi këto pikë dhe vuri gjobën prej 75 mijë euro për shkeljen e protokollit të sigurisë për të shmangur infektimin nga koronavirus.

LASK kishte shkelur rregullat e sigurisë në disa seanca stërvitore, duke mos zbatuar protokollin për stërvitje individuale në fillim e pastaj në grupe të vogla. Kjo skuadër është stërvitur në grupe të mëdha, madje klubet e tjera të Bundesligës austriake e kanë denoncuar këtë ekip edhe për zhvillimin e ndeshjeve testuese brenda grupit.

Një goditje shumë e rëndë për këtë ekip. LASK është rivali i Manchester United në Europa League dhe ndeshja pritet të luhet në javën e parë të gushtit. Klubi i LASK ka deklaruar se do të apelojë vendimin dhe nëse është e nevojshme, do ta çojë çështjen edhe më CAS.

Kampionati në Austri rinis më 2 qershor, teksa mbeten edhe 10 javë deri në fund. Me këtë sanksion, LASK barazohet me pikë me Salzburg, nga 48 secili, por ky i fundit ka golaverazhin më të mirë dhe merr kreun. LASK ka fituar vetëm një herë kampionatin austriak dhe shpreson ta fitojë për herë të dytë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN