MENU
klinika

Piloti gjerman largohet nga kokëkuqja

Vettel “divorcohet”, 3 kandidatë për Ferrarin

12.05.2020 - 11:40

Durimit i ka ardhur fundi! Pesë sezonet e dështuara në radhët e Ferrarit kanë hedhur në erë marrëveshjen e Sebastian Vettel me skuderinë italiane të Formula 1, me “martesën” që është futur tashmë në ditët e saj të fundit.

Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare, kokëkuqja ka zbuluar se rrugët me Vettel ndahen këtu, duke konfirmuar se sezoni aktual është i fundit për 4 herë kampionin e Botës në njëvendëshen italiane.

“Skuderia Ferrari dhe Sebastian Vettel komunikojnë vendimin për të mos zgjatur marrëdhënien e bashkëpunimit tekniko-sportiv përtej skadimit të kontratës, e vlefshme deri në sezonin sportiv të vitit 2020” –  thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ferrari.

Sebastian Vettel drejton njëvendëshen e Ferrarit që prej vitit 2015, por gjatë kësaj eksperience nuk arriti të shpallet kampion, çka nuk i ka pëlqyer aspak drejtuesve të kuq, të cilët pak ditë më parë panë të refuzohej një kontratë me pagë të reduktuar nga ana e Vettel. Pozitat e 35-vjeçarit ishin venitur ndjeshëm në ekip, duke u cilësuar si pilot i dytë i Ferrarit pas Charles Leclerc.

Menjëherë pas divorcit, në shtëpinë e Ferrarit kanë nisur të mendojnë për pasuesin e tij. Emri më i pëlqyer është ai i pilotit të McLaren, Carlos Sainz, ndërkohë që në pozita komode ndodhet edhe kandidatura e pilotit të Renault, Daniel Ricciardo. Një tjetër emër që ka fituar simpatinë e drejtuesve të kokëkuqes është italiani i Alfa Romeo, Antonio Giovinazzi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkëmbimi i mundshëm i pilotëve

Rokadë mes Hamilton dhe Vettel në Formula 1?