MENU
klinika

Epika homerike puro shqiptare

At’ Gjergj Fishta: shkrimtari i parë shqiptar, kandidat për NOBEL!

22.06.2020 - 21:31

        Një personalitet i spikatur i katolicizmit në Shqipëri, Gjergj Fishta ka merita të padiskutueshme për gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj, jo vetëm në Kongresin e Manastirit, që ai edhe e drejtoi. Vlerat unike të veprës së tij letrare dhe kombëtare, përfaqësohen denjësisht në vargjet e papërsëritshme të “Lahutës” – kryevepra e epikës shqiptare, më 1904.

Fisha është shqiptari i parë, kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi, por i mohuar e përçudnuar zyrtarisht për 45 vjet, nga regjimi komunist – emri iu harrua, ndërsa vargjet e tij qarkullonin në popull, fshehurazi, gojë-më-gojë.

Ende asnjë shkrimtar shqiptar, nuk është vlerësuar me Nobel për letërsinë. Por, as Shqipërisë nuk i kanë munguar penat e fuqishme të shkrimtarëve të mëdhenj, të cilët, janë bërë të famshëm në botë e madje, janë propozuar edhe për çmimin “Nobel”.

Më 1937-ën, gjermanët propozuan Gjergj Fishtën.

Pak rëndësi ka, që Fishta nuk e fitoi atë çmim. Në të vërtetë, Gjergj Fishta u çmua shumë dhe pati vlerësimin e shumë njohësve të huaj të letërsisë, nga ana e të cilëve, erdhi propozimi për NOBEL.

Pa diskutim, vlen të theksojmë këtu, se NOBELI, për disa vjet me radhë është propozuar edhe për shkrimtarin shqiptar të mirënjohur botërisht e të përkthyer në shumë gjuhë, Ismail Kadare.

***

C U B A T  (fragment)

Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk’rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak, (5)

frymën tue ia xanun njak,
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë, (10)

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër spari,
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari,
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer: (15)

e tue dhanë kryq e terthuer,
tu’ i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s’ ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue (20)

s’i’n me ndejë rob nën zgjedhë t’huej,
pagë e t’dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n’ këto troje t’ veta (25)

mos me i bà kurr tungjatjeta,
n’braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s’ ia kanë dà;
por t’janë grì me tè e t’janë vrà,
si me kenë tu’ u vrà me Shkjà (30)

E prandej si pat fillue
Turkut Ora m’ iu ligështue,
e nisë pat m’ iu thy’ atij hovi,
m’ qafë përditë tu’ i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit, (35)

zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t’ Turkut : qi si motit
n’ ato kohët e Gjergj Kastriotit, (40)

krejtë e lirë kjo t’ishte, e askujë
n’daç t’jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t’dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë, (45)

si fletë Engj’lli t’Perendisë,
si ajo flaka e rr’fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n’tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t’Zi,
Knjaz Nikolla, ‘i gërxhelì: (50)

gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n’Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s’të gjatit (55)

der’ n’ Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do’ “trobojnicën”,
do’ m’ ia vu Shkodrës “kapicën”:
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi ‘i herë ta kisht’ là n’gjak! (60)

Ka ndejë Turku e këqyrë haru,
pika-pika lotët tu’i shkue,
kah s’ka Shkjaut si me i qindrue;
se Moskovi e ka rrethue:
ka Stambollën muhasere! (65)

Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì
-si ata e zeza m’i pastë mb’lue!-
për të buk’rën këtë Shqipnì,
si m’ia lëshue n’dorë Malit t’Zì. (70)

M’kambë Shqiptarët atëherë t’janë çue.
Sa mirë n’armë na janë shtërngue!
T’fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
si të Parët ua lidhshin motit
n’ato kohë t’Gjergj Kastriotit: (75)

me ‘i kambë mbathë e tjetrën zdathë,
gjanë e gjallë pa grazhd mbyllë n’vathë,
diku ngranë, diku pa ngranë,
harrue grue, motër e nanë,
sy’n agzot, zemrën barot, (80)

e si ai plajmi me furì,
t’kanë rrà ndesh Malit të Zì,
për t’gjatë t’Cemit n’atë kufì,
ku edhe trimat t’janë përlà:
t’janë përlà Shqiptarë e Shkjà, (85)

ballë për ballë ata tu’u vrà,
fyt-a-fyt, ofshè! tu’ u prè:
tue mbetë shakull përmbi dhè,
mish për shpez e kaçubeta,
gjithku kje ajo pika e djalit, (90)

gjithku kjenë sokola malit,
pa kjà m’ta as nanat e shkreta.
Veç se, po, me parzme t’veta
Aty Shkjaut sulmin kanë thye.
Mbasi Shkjaut sulmin kanë thye, (95)

bàjnë kuvend Shqiptarët n’mjet vetit
e ‘i fjalë t’madhe çuekan Mbretit:
se jo veç qi Knjaz Nikollës
nuk i lajnë kurr pagë e t’dheta,
porsè as Mbretit të Stambollës (100)