MENU
klinika

Kupa e Italisë

CR7 humb penallti, Milan me 10 vetë, Juve në finale

12.06.2020 - 21:57

Futbolli italian ka rinisur zyrtarisht me një superndeshje. Sfida gjysmëfinale e kthimit për Kupë mes Juventus dhe Milan ka mbajtur në ankth tifozëritë e të dyja skuadrave deri në fund, teksa ka përfunduar 0-0. Një rezultat që kualifikon Juven në finale, teksa takimi parë pati përfunduar 1-1 në “San Siro”.

Juventus pati një mundësi të artë për të kaluar në avantazh në minutën e 16-të, kur u dha penallti nga VAR pas një prekje të topit me dorë nga Conti. Te pika e bardhë është paraqitur CR7, goditja e të cilit ka përfunduar në shtyllë.

Në aksionin pasues, Milan mbeti me 10 lojtarë pas të kuqit direkt të marrë nga Rebic për një ndërhyrje të rrezikshme. U duk se goli do të vinte shpejt pas këtij episodi, por pjesa e parë mbyllet pa gola.

Në fakt, nuk ka gola e gjithë ndeshja, edhe pse Ronaldo me shokë kërkojnë golin deri në fund. Milan i pafuqishëm me 10 vetë dhe pa Ibrahimovic. Juve bëri 4 zëvendësime, Milan 5. Juventus pret nesër finalistin tjetër që do të dalë nga Napoli-Inter, me të kaltrit që kanë fituar në Milano 1-0. Finalja luhet më 17 qershor në “Olimpico” të Romës.