Ishte vetëm gjashtë vjeç dhe e kishte përjetuar luftën e Kosovës deri në palcë… pikërisht në fshatin e lindjes, në Llashticë të Gjilanit, shkruajnë mediet në Kosovë.
Ai kujton tmerret e asaj kohe, kur pak shpresë kishte se do të mbijetonte. Ilir Ramushi, tashmë 27 vjeç kujton edhe braktisjen e fshatit bashkë me 1,500 bashkëfshatarë, pas masakrave të shumta, djegies së fshatit dhe vrasjes së mbi 25 personave.
“Kur kanë hyrë serbët në fshatin tonë, kanë vrarë edhe gjyshen time, gjyshja ime ishte vajza e heroit të madh Idriz Seferit” – ka thënë Ramushi.
Dhe nuk e kishte menduar se nga ajo vuajtje e madhe, ai një ditë do të takonte presidentin më të dashur amerikan për shqiptarët, Bill Clinton.
Ai bashkë me banorët e tjerë vendas, kishte shkuar në kampin e Stankovecit dhe atë kamp e kishte vizituar presidenti i SHBA-së, pikërisht Iliri i vogël, kishte fatin të kapte dhe të shtrëngonte për dore, Bill Clinton-n.
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme, një emocion që ndodhë vetëm një herë në jetë” – ka thënë Ilir Ramushi.
Tash si një ekonomist i diplomuar, ai shpreson që edhe të mërkurën ta takojë nga afër Bill Clinton, një njeri që shpëtoi popullin e tij, edhe pse, sipas tij, ai ka shpresuar që për këto 21 vite, Kosova do të ndryshonte me një hap më të madh.
Ilir Ramushi në fotografinë me Bill Clinton është bashkë me motrat e tij, sikurse edhe me fëmijët e tjerë, që i ka familjarë të afërm.