MENU
klinika

Superliga e Kosovës

Dy ndeshje pa gola, Ballkani rrezikon edhe vendin e dytë

12.06.2020 - 18:43

Barazimi i dytë radhazi pa gola për FC Ballkanin pas rikthimit në fushë të skuadrave të Superligës në Kosovë i ka kushtuar shumë shtrenjtë ekipit të drejtuar nga Ismet Munishi, pasi i jep mundësinë Dritës që të arratiset edhe më shumë në krye, apo edhe Prishtinës që ta kalojë në renditje.

Ballkani luante sot në transfertë përballë Flamurtarit, me objektiv të qartë fitoren për t’u rikthyer në kryesim, por Baftiu dhe Daku shpërdoruan disa mundësi të mira para portës kundërshtare, me portierin Nika të Flamurtarit që u tregua vendimtar me devijimet e tij për të mbajtur të paprekur rrjetën.

Kësisoj, ndeshja u mbyll 0-0 dhe Ballkani arrin Dritën në kuotën e 46 pikëve, por me një ndeshje më shumë të luajtur i jep mundësinë rivalëve kryesorë që të mund të nisin një distancë sigurie.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur dot, Feronikeli iu kthye sukseseve duke mundur 1-0 Dukagjinin dhe duke u kthyer në garë për pozitat e rëndësishme në klasifikim pasi është vetëm 6 pikë larg vendit të parë.