Kriza e koronavirusit ka shkaktuar një përkeqësim dramatik në perceptimin publik publik evropian për SHBA. Kështu zbulojnë sondazhet e reja.
Më shumë se 60% e të anketuarve në Gjermani, Francë, Spanjë, Danimarkë dhe Portugali thanë se kishin humbur besimin në Shtetet e Bashkuara si një udhëheqës global. Një raport i bazuar tek gjetjet e sondazhit argumenton se tronditja e pandemisë ka “traumatizuar” qytetarët evropianë, duke i lënë ata të ndjehen “vetëm dhe të dobët”.
Në pothuajse çdo vend të anketuar, shumica e njerëzve thanë se perceptimi i tyre për SHBA ishte përkeqësuar që nga shpërthimi i koronavirusit. Qëndrimet negative u panmë së shumti në Danimarkë (71%) Portugali (70%), Francë (68%), Gjermani (65%) dhe Spanjë (64%). Në Francë, 46% dhe në Gjermani 42% thanë se pikëpamja e tyre për SHBA ishte përkeqësuar “shumë” gjatë pandemisë.
Në një analizë të të dhënave, ekspertët e politikave Susi Dennison dhe Pawel Zerka thonë se besimi tek SHBA është “zhdukur” si rezultat i trajtimit të saj të krizës shëndetësore dhe se mbështetja për aleancën transatlantike është “zhdukur”. Angela Merkel, kancelarja gjermane, paralajmëroi në një intervistë me Guardian të Premten se bota nuk mund ta merrte më si të mirëqenë që Amerika akoma aspiron të jetë lidere globale. Sondazhi sugjeron që opinioni publik tashmë është i vetëdijshëm për ndryshimin.
Raporti thotë: “Besimi i evropianëve në SHBA është zhdukur. Shumë prej tyre janë çuditur nga përgjigjja kaotike e SHBA; mungesa e solidaritetit që tregoi me evropianët në mbylljen e kufirit të saj në 12 mars për anëtarët e zonës Shengen; dhe mungesa e lidershipit në trajtimin e krizës së koronavirusit në nivelin global .
Sondazhi është autorizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) me qendër në Berlin dhe u krye nga Datapraxis dhe YouGov në fund të prillit dhe javës së parë të majit, në nëntë vendet e BE-së, të cilat së bashku përbëjnë dy të tretat e popullsisë së bllokut.
Aq i ulët është besimi në të ardhmen e partneritetit transatlantik sa që vetëm 2% e të anketuarve në Gjermani dhe 3% në Francë thanë se do të prisnin mbështetjen e SHBA për rindërtimin e Evropës. “Evropianët e kanë bërë të qartë se SHBA nuk është më domosdoshmërisht mike në nevojë për Evropën,” tha Dennison.
Trump e ka shprehur hapur antipatinë e tij ndaj Bashkimit Evropian për vite me radhë. Kohët e fundit ai urdhëroi tërheqjen e 10,000 trupave amerikane nga Gjermania.
Autorët besojnë se kërkesa për më shumë bashkëpunim në BE është e bazuar në idenë se rendi botëror pas vitit 1945 po ndryshon dhe se mbështetja në SHBA ka marrë fund.
Ata identifikojnë tërheqjen e SHBA nga multilateralizmi si një nga tre arsyet e këtij ndryshimi. Faktorët e tjerë janë keqmenaxhimi pandemisë nga qeveritë evropiane në nivel kombëtar, dhe dështimi i BE-së për të ndërmarrë nismën fillestare për disa çështje globale.
“Evropianët tani duhet të mësohen me idenë se kontinenti ynë mund të kalojë nga vetëkënaqësia në mbyllje të plotë ekonomike dhe sociale brenda disa javësh. Kjo mund të ketë pasoja për mënyrën se si Evropa angazhohet me pjesën tjetër të botës.”
Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ Konica.al