MENU
klinika

Në gjysmëfinale do të ketë short

Mësohen 3 ekipe gjysmëfinaliste të Kupës

24.06.2020 - 17:29

Kanë përfunduar tre nga katër ndeshjet e kthimit çerekfinaliste dhe janë mësuar edhe 3 ekipe gjysmëfinaliste. Tirana, edhe pse ka barazuar 1-1 në Lezhë ndaj Besëlidhjes, është kualifikuar për më tej. Kjo pasi ndeshjen e parë e kishte fituar 5-1.

Të dy golat janë shënuar në pjesën e dytë. Xhorxhevic shënoi sapo nisi ky fraksion. Një gol shumë i bukur për nga mënyra e realizimit. Edhe pse kanë pasur shumë kohë, lezhjanët e kanë pasur të pamundur të shënojnë edhe 3 gola të tjerë për t’u kualifikuar. Në fund barazoi Muçi për Tiranën.

Skuadra e dytë që kualifikohet është Kukësi. Ekipi verilindor kishte fituar ndeshjen e parë 2-1 në Fier ndaj Apolonisë, por edhe në kthim mposht të besuarit e Mëgjyshit, kësaj here në shifrat 3-1.

Lulaj në 27’ dhe Shkurtaj në 43’ e mbyllën pjesën e parë në 2-0. Me fillimin e së dytës është Et’hemi që realizon golin e tretë. Më pas ritmi ra ndjeshëm. Gjithsesi, miqtë arritën të shënojnë një gol me anë të Gjatës në 75 me penallti.

E treta që kualifikohet është Teuta. Pas barazimit 2-2 në Shkodër, durrsakët ishin favoritë ndaj Vllaznisë. Pasi humbën një penallti në pjesën e parë, golin e fitores e realizoi veterani Arapi në 76’.

Në pjesën e parë Teuta humbi edhe një penallti me anë të Kallakut në minutën e nëntë, ndërsa për një pjese loje Vllaznia luajti me 10 lojtarë, pasi u ndëshkua me karton të kuq Shehi. Ekipi i fundit gjysmëfinalist do të dalë nga sfida Skënderbeu-Bylis (19:30), teksa ndeshja e parë në Ballsh përfundoi 1-0 për Bylis.