MENU
klinika

Java 26

Nuk falin skuadrat e Gjilanit, kryesojnë në Kosovë

24.06.2020 - 18:38

Superliga e Kosovës ka hyrë në fazën më interesante të saj, ku thuajse të gjitha skuadrat kanë objektiva për të përmbushur. Drita e Gjilanit ka triumfuar me rezultatin e thellë 0-4 në transfertën ndaj modestëve të Vushtrrisë, duke siguruar fitoren e pestë radhazi në kampionat.

Rezultate këto që e mbajnë në krye të renditjes me 55 pikë. Xhevdet Shabani shënoi që në minutën e parë për skuadrën gjilanase, duke e bërë më të lehtë ndeshjen, ndërsa Haxhimusa dyfishoi shifrat në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë pati kohë edhe për dy gola të tjerë, të shënuar nga Astrit Fazliu dhe Kastriot Rexha.

Fiton edhe Gjilani me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Dukagjinit, duke ruajtur kështu ritmin e Dritës kryesuese dhe duke marrë përkohësisht vendin e dytë të renditjes me 51 pikë. Skuadra e Gentian Mezanit kaloi në avantazh me Razak që në minutën e parë, ndërsa në të 7-ën ishte Shala që shënoi në portën e tij.

Kamara shënoi për vendasit në minutën e 9’ dhe rihapi takimin, por kjo deri në fillim të pjesës së dytë, kur Fiton Hajdari shënoi edhe golin e tretë për Gjilanin, duke vulosur fitoren e miqve.

Sfida tjetër e ditës së sotme, mes Trepçës ’89 dhe Flamurtarit, përfundoi në barazim 1-1, një rezultat që duket se favorizon më shumë kuqezinjtë nga kryeqyteti, të cilët janë jashtë zonës së ftohtë të renditjes.