MENU
klinika

“Do të dëgjoni sërish lajme”

Paralajmërimi i Artan Lames nga Vlora: Kushti për të marrë tapinë

21.06.2020 - 10:06

Drejtoria e Kadastrës Tirana Rurale ka publikuar dje emrat e familjeve që kanë gati lejen e legalizimit. Kushti i vetëm për të marrë tapinë është shlyerja e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

“Personat që gjejnë emrin te listat më poshtë të paraqiten pranë zyrës së marrëdhënieve me publikun për të tërhequr faturën e parcelës ndërtimore. Pasi të bëhet pagesa për truallin e zënë nga objekti informal ju do të pajiseni me certifikatë pronësie, duke qenë pronar legjitim të shtëpisë tuaj”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Kadastrës.

TAKSA

Me ndryshimet e depozituara në Kuvend, pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë nuk do të jetë më detyrim për qytetarët. Nisma e propozuar nga 3 deputetët socialistë, Taulant Balla, Evis Kushi dhe Klotilda Bushka, e cila pritet të zyrtarizohet brenda këtij muaji, çliron qytetarët në proces legalizimi nga kjo faturë. Kujtojmë që taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet sa 0.5 për qind e vlerës së investimit. Konkretisht për një banesë me vlerë 5 milionë lekë tarifa është 25 mijë lekë.

LAME

Prej më shumë se një javë kanë nisur edhe procedurat e regjistrimit fillestar për tokat e ndara me ligjin 7501 në bregdetin e Jugut. Nga Vlora, kreu i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, sqaroi hapat që do të ndiqen deri në ndarjen e tapisë.

“Për rreth dy-tre muaj ne do të vazhdojmë me grupet në terren për të bërë mbledhjen e informacionit, pastaj do të përpunohet në zyrat tona dhe do të shfaqet për dy-tre muaj të tjerë pranë gjithë zyrave tona në bregdetin e Jugut, dhe do t’i lihet afat dy-tre muaj çdo qytetari të shohë si është pasqyruar prona e tij. Në këtë proces do të kemi tri kategori: qytetarë që kanë pronën e pastër dhe do të marrin certifikatën e pronësisë; qytetarë që kanë probleme me njëri-tjetrin, që arrijnë ta gjejnë zgjidhjen, dhe që do të regjistrohen të dy palët që të marrin certifikatën; dhe, së fundmi, qytetarë që kanë probleme me njëri-tjetrin dhe nuk e gjejnë zgjidhjen, dhe do t’u thuhet të shkojnë në Gjykatë”.

Gjatë komunikimit me mediat, Lame u ndal edhe në kaosin e shkaktuar në Drejtorinë e Kadastrës Vlorë, ku në harkun e pak muajve janë ndërruar disa drejtorë.

“Kadastra e Vlorës është institucioni më problematik në vend. Ne po heqim kusuret e 25 vjetëve tallje me njerëzit. Për këtë arsye, procesi i regjistrimit në Jug nuk po bëhet nga Kadastra e Vlorës, por nga ekipet tona të Tiranës. Sa i përket Kadastrës së Vlorës, së shpejti do të dëgjoni sërish lajme”, tha Lame.

Regjistrimi fillestar në bregdetin e Jugut, edhe pse ka nisur disa herë, nuk ka mundur të finalizohet. Kreu i Kadastrës bëri të qartë se procesi në këto zona do të përmbyllet brenda afateve ligjore.

“Ka 30 vjet që shteti shqiptar, ku më shumë e ku më pak, nuk ka qenë në gjendje të mbyllë problemin e pronave, kryesisht në Jug. Janë gjithë zonat kadastrale të bregdetit të Jugut ende të paregjistruara. Dy herë është nisur ky proces, të dyja herët ka dështuar. Njëherë u nis dhe u la në mes, herën tjetër u çua më tej, por u la sërish, edhe pse ishte me financime të huaja. Ju them me bindje se kjo do të jetë hera e tretë, ku procesi i regjistrimit të pronave në Jug do të përfundojë. Besoj që do të mbyllet në këto muaj që është lënë si proces”, vuri në dukje Lame.

Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë