MENU
klinika

I jepet lamtumira "Mjeshtrit të Madh"

Shkon në vend amaneti i fundit i Moikom Zeqos

20.06.2020 - 09:23

Sot i jepet lamtumira e fundit, “Mjeshtrit të Madh” Moikom Zeqo, disa ditë pas ndarjes së tij nga jeta.

Homazhet do të mbahen në ora 10.00-13.00 sipas rregullave anti-COVID në Muzeun Historik Kombëtar, ku ai punoi për 8 vite si drejtues dhe ku pati zemrën edhe mendjen e tij prej studiuesi. Ky qe edhe amaneti i Moikom Zeqos.

Më 15 qershor, Akademia e Shkencave njoftoi se ndërroi jetë, shkrimtari, historiani, publicisti, studiuesi i njohur i trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar, njeriu erudit dhe veprimtari politik, Moikom Zeqo.

Moikom Zeqo vuante prej disa vitesh nga një sëmundje e pashërueshme, e cila asnjëherë nuk e mundi. Deri në ditët e fundme të jetës ai ishte i pranishëm në shtypin e shkruar, me mendimin dhe kulturën e tij të gjerë. Autor i mbi 60 librave poetikë, kulturorë dhe shkencorë, ai njihet si një prej autorëve më prodhimtarë në historinë e letrave shqipe.

Veprimtaria krijuese e Moikom Zeqos u zhvillua para së gjithash në fushën e poezisë. Njihet si një prej përfaqësuesve më të shenjuar të brezit letrar pas-Kadare. Hyri në jetën letrare dhe kulturore të vendit si poet me figuracion të guximshëm, me ndikime nga De Rada e Migjeni, me një frymëzim të dukshëm qytetar dhe intelektual. E njohur si poezi e mendimit dhe e refleksionit të brendshëm, në tri dekadat e fundme ajo u shfaq me një figurshmëri edhe më moderne, duke u bërë e njohur si poezi e mendjes, zemrës dhe shpirtit, por para së gjithash si poezi ezoterike.

Poezia e Moikom Zeqos më së shumti është poezi e kërkimit dhe e enciklopedizmit se e frymëzimit rastësor. Kjo është arsyeja që poezia e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës, prej viteve të rinisë deri në çastet e fundme të jetës.

I diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe, Moikom Zeqo shkroi shumë vepra studimore për autorët më të rëndësishëm të saj prej fillimeve deri në kohët moderne. Në mënyrë të veçantë në vëmendjen e tij qenë shekujt e humanizmit europian në Shqipëri, me Barletin, Buzukun e Bogdanin; letërsia arbëreshe me De Radën; letërsia midis dy luftërave me Migjenin dhe letërsia popullore shqiptare.

Moikom Zeqo shkroi gjithashtu artikuj e studime me karakter njohës e interpretues edhe për ritet dhe mitet e popullit shqiptar, dukuritë specifike etnografike të tij, folklorin, kujtesën gojore në përgjithësi. Për një kohë të gjatë ai ndoqi për së afërmi procesin krijues në tërësinë e vet me syrin e kritikut dhe të gazetarit: letërsinë, artet figurative, jetën e skenës dhe të kinemasë shqiptare.

Me gjithë karakterin shumëpërmasësh të veprimtarisë së tij poetike dhe kërkimore, Moikom Zeqo gradën shkencore “doktor” e mbrojti në fushën e arkeologjisë, që përbën drejtimin e dytë shumë të rëndësishëm të ndihmesave të tij. Më shumë se kërkues i terrenit, Moikom Zeqo shkroi për shumë çështje të lashtësisë së qytetërimit iliro-shqiptar dhe për vazhdimësinë midis tyre mbështetur në një bibliotekë shumë të pasur dhe në njohuritë e tij të gjera për qytetërimet antike, sidomos për qytetërimin grek dhe romak. Në mënyrë të veçantë interesim shkencor në këtë fushë pati për praninë e romanitetit në trashëgiminë shqiptare.

Publicistika, me shkrimet kritike për zhvillimet bashkëkohore dhe me karakterin e saj polemik, është një tjetër bashkudhëtare krijuese e Moikom Zeqos. Bashkë me ushtrimin e suksesshëm të detyrave të larta shtetërore dhe përfaqësuese, si ministër dhe deputet, publicistika përbën një prej formave të pjesëmarrjes së tij qytetare në jetën publike si mendimtar e nismëtar. Në dekadën e fundme të shekullit XX ai ishte një prej bashkëpunëtorëve më të vendosur të shtypit të lëvizjes çlirimtare të Kosovës dhe për këtë kontribut ai është nderuar me dekoratën e lartë të Urdhrit të Pavarësisë.

Moikom Zeqo është fitues i disa çmimeve letrare kombëtare dhe mban mirënjohjen Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.

Ndarja nga jeta e Mojkom Zeqos është një humbje e madhe për kulturën dhe botën e letrave shqipe, Ai do të mbetet një zë i veçantë dhe me vlera në fondin, identitetin dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN