Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “BAFTA”, çmime që ndahen nga Akademia e Filmit në Britaninë e Madhe, është shtyrë po ashtu, për muajin prill të vitit 2021.
Kjo ngjarje e rëndësishme kinematografike, do të mbahej më 14 shkurt në Londër, por organizatorët janë detyruar ta shtyjnë për më 11 prill 2021, për shkak të situatës.
Në komunikatën për mediet, dhënë me këtë rast, thuhej: “Ndryshimi i datës së paralajmëruar më herët, dëshmon ndikimin e pandemisë në industrinë e filmit, si dhe vërteton faktin se, të gjithë duhet ta pranojmë këtë situatë dhe të përshtatemi me të. Detajet shtesë rreth ceremonisë, do të bëhen të ditura nga fundi i këtij viti.”
Lajmi për ndryshimin e datës së ceremonisë për “BAFTA”, vjen një ditë pasi organizatorët e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve kryesore në kinematografi, “Oscar”, lajmëruan gjithashtu vendimin për të ndryshuar datën e mbajtjes së ceremonisë, nga shkurti në muajin prill, të vitit të ardhshëm.