MENU
klinika

Kampionët, 5 humbje radhazi

Tirana pa “frena”, Kukësi fundos Partizanin

07.06.2020 - 17:59

Java e dytë e Superiores pas rifillimit, e 28-a në kalendar, ka dhuruar plot emocione dhe gola. Ashtu si në mesjavë, Tirana, Kukësi dhe Skënderbeu, tre skuadrat e kreut, kanë fituar dhe kanë mbajtur të pandryshuar renditjen në krye.

Kështu, Tirana ka fituar 5-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit vendas, ku 3 gola janë shënuar në pjesën e parë, me Vangjeli në 3’, Cobbinah 20’ dhe Hasani 43’. Ndërsa në pjesën e dytë ka thelluar avantazhin Batha me penallti në 66’ dhe Dunga në 77’.

Dominim total i Tiranës, teksa mban diferencën me 9 pikë karshi vendit të dytë, kur mbeten edhe 8 javë deri në fund. Ishte fitorja e gjashtë radhazi për bardheblutë, duke marrë 15 fitore dhe 1 barazim në 16 ndeshje radhazi, përfshirë edhe 2 ndeshjet e Kupës.

Por ajo që spikati në ndeshjet sotme ishte fitorja 3-1 e Kukësit ndaj Partizanit në “Selman Stërmasi”. Pesë humbje radhazi për të kuqtë, që jo vetëm që shkurorëzohen si kampionë, por aktualisht janë ata që do luajnë në play-out për të siguruar qëndrimin në Superiore.

Verilindorët shënuan golin e parë në fundin e pjesës së parë me anë të Abazajt, ndërsa në të dytën Boldor në 52’ realizon autogol, kurse Et’hemi në 62’ i jep goditjen përfundimtare Partizanit, pasi goli i Solomon në 71’ nuk bëri gjë tjetër, vetëm sa të ngushtonte shifrat.

Gjashtë fitore radhazi për Skënderbeun, që fiton 1-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit. Dy suksese radhazi për korcarët në transfertë dhe mbajnë fort vendin e tretë në renditje. Golin e vetëm e shënoi Gripshi në 58’.

“Festival” golash në Laç, ku kurbinasit fitojnë 5-2 përballë Vllaznisë, që luante pa trajnerin e parë Jonuz (i larguar drejt vendlindjes). Marku e Deliu shënuan për vendasit në pjesën e parë, ndërsa Ignjatovic, Prengaj dhe Rapo në pjesën e dytë, ndërsa Vllaznia ngushtoi dy herë në pjesën e dytë me Zogaj dhe Lika.

Një fitore në “frymën e fundit” për Bylisin ndaj Teutës në Ballsh, kur Goxhaj realizon në kohën shtesë për 1-0. Një sukses që bën që Bylisi të lërë vendin e tetë dhe të ngjitet i gjashti, ndërsa Teuta mbetet në vendin pestë, por humb terren me ekipet para.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN