MENU
klinika

Ç'po ndodh mes Evropës e SHBA-së?

Edhe fuqitë e mëdha respektojnë “distancimin social”!

05.07.2020 - 18:00

Aleanca transatlantike ka shërbyer si themeli i stabilitetit evropian. Në vitin 2020, duket se marrëdhëniet janë duke u rimenduar nga të dyja anët e Atlantikut.

Në fillim të kësaj jave, Bashkimi Evropian nuk pranoi të përfshijë SHBA-në në listën e “vendeve të sigurta”, që do të thotë se udhëtarët amerikanë do të jenë të padëshiruar brenda bllokut për të ardhmen, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve. Në diskutim, lista përfshin Kinën – vendin nga e ka origjinën virusi – me kushtin e marrëveshjeve të ndërsjella.

Zyrtarët e BE këmbëngulin se vendimi nuk ishte politik dhe bazohej tërësisht në prova epidemiologjike, me shpresën se kjo do të qetësonte Presidentin amerikan Donald Trump, një njeri që ka sulmuar bllokun në disa raste.

Kjo ngjarje mund të duket si dëshmi e shkëputjes së marrëdhënieve transatlantike. Nuk është sekret që Uashingtoni është interesuar më pak në çështjet evropiane këto kohë. Dhe dihet që kombet evropiane kërkojnë në mënyrë aktive një autonomi më të madhe diplomatike nga Amerika. Kjo është veçanërisht e vërtetë për 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Një nga mënyrat që Brukseli mendon se mund të distancohet nga SHBA-ja, është angazhimi me Kinën si partner strategjik dhe ekonomik.

Sipas një zyrtari të Brukselit, largimi midis Evropës dhe SHBA-së ka nisur që në periudhën e drejtimit nga  ish-presidenti  Obama.

“Obama nuk kishte aq interes të madh për Lindjen e Mesme sa presidentët e mëparshëm, gjë që është gjeografikisht më shumë një problem evropian. Dhe ai po zhvendoste përparësitë e tij nga Europa drejt Kinës dhe Azisë.’’

Sidoqoftë, vëzhguesit e aleancës pranojnë se situate është tensionuar gjatë katër viteve të fundit – dhe do të përkeqësohet akoma nëse Donald Trump do të fitojë zgjedhjet. “Trump e konsideron BE-në, veçanërisht Gjermaninë, një rival ekonomik dhe tregtar, që do të thotë se mund të priten tensione në rastin kur ai të marrë një mandat të dytë”, thotë Velina Tchakarova, nga Instituti Austriak për Politikë Evropiane dhe Politikë të Sigurisë.

Kjo, sipas Tchakarova, është arsyeja pse “institucionet e BE-së dhe drejtuesit e vendeve anëtare shpresojnë që Joe Biden të zgjidhet në nëntor . Ai është në favor të multilateralizmit dhe pritshmëria është që ai të forcojë lidhjet midis SHBA-së dhe Europës . “

Sidoqoftë, një fitore e mundshme e Bidenit nuk do të siguronte zgjidhje të shpejtë për partneritetin transatlantik. “Pyetja nuk është nëse mund ta ktheni marrëdhënien atje ku ishte, por nëse mund të bindim SHBA-në që të ri-bashkohet në rendin perëndimor”, thotë diplomati i BE.

Burimi: CNN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN