MENU
klinika

Bredhi i Hotovës

Turistët, mes aventurës dhe adrenalinës…

20.07.2020 - 13:50

      Ecja me kuaj – një aventurë ekologjike, plot adrenalinë, për të vizituar bukuritë natyrore, monumentet e kulturës, fshatrat karakteristike dhe traditën janë kthyer në një atraksion të ri turistik, për shumë të apasionuar pas këtij sporti.

Ky udhëtim po ofrohet gjithnjë e më shumë nga ata që e ofrojnë këtë shërbim edhe në vendin tonë, për një fundjavë të pazakontë në zbulim të shumë zonave të bukura natyrore që ofron vendi ynë.

Një nga këto zona është edhe Shqeria në Përmet, ku ditët e fundit kanë qenë të shumtë vizitorët, të cilët kanë preferuar të kalojnë fundjavat në këtë pikë turistike.

Drejtori i Administratës ë Zonave të Mbrojtura, Gligor Dushi, tha për mediet, se “në zonën e Shqerisë, Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës”, pas daljes nga izolimi, ka filluar të frekuenohet nga turistët vendas, në pjesën më të madhe, krahas atyre të huaj më të paktë në numër”.

“Vizitorët, përveç përjetimit të bukurive të natyrës gjatë kësaj stine, për të vizituar fshatrat karakteristike dhe monumentet e kulturës, kanë shijuar edhe udhëtimet me kuaj” – tha Dushi.

Sipas tij, vitin e kaluar kishim një numër i madg turistësh të huaj, por këtë vit, për shkak të pandemisë, numri është i vogël.

“Por, shpresojmë që në 15-ditëshin e dytë të korrikut dhe gjatë muajit gusht, të kemi rritje të numrit të turistëve” – theksoi Dushi.

Dushi tregon, se shtegu më i preferuar i turistëve është ai përgjatë kanionit të Langaricës, një shteg i vjetër që shumë vite më parë lidhte disa fshatra të zonës.

“Në këtë shteg ndodhen urat e gurta të Mixhait dhe të Babos, që datojnë që nga koha e Perandorisë Osmane”, – shton Dushi.

Ecjet me kuaj, ndjekin shtigje në atë pjesë të parkut kombëtar që ndodhet pranë kanionit të Langaricës dhe ujërave termale, një nga pikat turistike më të vizituara në zonën e Përmetit.

Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës, ndodhet në jug të Shqipërisë, pak kilometra nga qyteti i Përmetit dhe fare mirë, mund të cilësohet si “mushkëria natyrore” e Shqipërisë Jugore.

Me një shtrirje prej 1,200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm, të përbërë kryesisht nga bredhi maqedonas, ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza në çdo stinë të vitit, si në dimër i mbuluar nga dëbora edhe në verë, ku shijohet freskia e natyrës.

Pamja madhështore e parkut të shfaqet para syve, sa hyn në luginën e Lumicës e deri afër majës së malit të Kokojkës. Bredhi i Hotovës, konsiderohet një nga pasuritë natyrore mesdhetare më të rëndësishme në vend e njëkohësisht, një nga parqet më të mëdha në Ballkan, të bredhit maqedonas.