MENU
klinika

"Bac, u kry"

Destan Gashi sjell Adem Jasharin gjigant në Vjenë

28.08.2020 - 13:28

       Çekani dhe dalta, më të cilën ishte gdhendur prej muajsh guri gjigant, kishin pushuar. Skulptura prej gurit, që në mënyrë figurative është me plis në kokë dhe me gojë të hapur, nga ku nxjerr zjarr e tym heroi ynë kombëtar, Adem Jashari, është përfunduar. Ajo, tashmë gjendet në oborrin e shtëpisë së skulptorit shqiptar në Vjenë, Destan Gashit. Kjo skulpturë, për artistin tonë, është kryevepra e punimeve të tij të deritashme.


Të punojë një skulpturë prej guri, figurën e Adem Jasharit, për Destan Gashin, ishte ëndërr e kamotshme. Por, gjithmonë dëshironte diçka të re, diçka që nuk është realizuar deri më tash. Dëshironte që ai punim të kishte një mesazh, të bëhej me shpirt dhe zemër. Tonelatat dhe përmasat e gurit tregonin më së miri, peshën që heroi Adem Jashari e ka në zemrën e skulptorit Gashi. Dhe, kjo u realizua. Ajo, tash e disa ditë, gjendet në kopshtin e tij.

Albinfo Austria, vizitoi shtëpinë e skulptorit Destan Gashi në Vjenë dhe shikoi për së afërmi, madhështinë e punës së realizuar.

E gjithë vepra e punuar, nuk është bazuar në asnjë fotografi. Gjithçka është e lindur nga imagjinata e artistit, Destan Gashit.

“Në imagjinatën time, ishin ngulitur momentet e fundit të Adem Jasharit, kur ai në mënyrë figurative, kishte plisin e bardhë në kokë dhe kur në përballje me armikun, nxirrte tym e flakë nga goja“, – thotë Destan Gashi.

Gjatë pandemisë, në banesën tij, Destan Gashi kishte marrë pak argjilë dhe ia kishte filluar të bëjë një skicë. Skica e punuar nga argjila i kishte dalë shumë e bukur dhe origjinale. Në bazë të asaj skice, më pas kishte porositur gurin dhe kishte filluar punimin.

“Për afro 4 muaj punë e përditshme dhe e pandërprerë, derisa e jetësova kështu siç është. Është kënaqësia më e madhe që më ka dhënë ndonjë punim, gjatë karrierës sime. Nuk kam përjetuar asnjë lodhje, kisha vullnet të punoja ditë e natë. Ndoshta, sepse para vetës kisha një figurë madhështore, një legjendë të historisë dhe kombit tonë, e kisha një emër të madh: ADEM JASHARI”, -thotë Destan Gashi, duke treguar dashurinë që ai ka për heroin dhe sakrificën e Adem Jasharit, për atdheun.

Skulptura e Adem Jasharit, kryevepra e Destan Gashit

Skultori Gashi ka punuar edhe punime të tjera, që janë po ashtu, të përzemërta për të, si p.sh: Djaloshin e sapolindur të Rozafës, por kjo, sikur thotë ai vetë, është letërnjoftimi dhe kryevepra e tij.

“Gjithçka që kam pasur në brendësi e kam derdhur në këtë skulpturë. Është e punuar me shumë dashuri, me zemër, me shpirt…”.

Guri, materiali që është përdorur për të gdhendur figurën e Adem Jasharit, është prej shtufi (Sandstein), është gurë i ardhur nga Burgenland. Skulptura peshon 1.2. ton i rëndë, me gjerësi prej 1 metër me 1.2 metra dhe lartësi prej 1.1 metrash.

Megjithatë, dëshira e Destan Gashit është që, kjo skulpturë të jetësohet në oborrin e shtëpisë së tij, në fshatin Zeqisht, në komunën e Rahovecit. Por, ëndrra e tij nuk ka përfunduar këtu.

“Në kokën dhe mendjen time, tashmë është që e njëjta figurë e Adem Jasharit, të punohet nga guri i kuq i Therandës, në peshën prej 6 tonësh”, – thotë ai.

Për të gjithë interesuarit, për ta parë nga afër skulpturën e Adem Jasharit, si edhe punime të tjera, Destani së bashku me bashkëshorten, piktoren Barbara Gashin, do të hapin ekspozitë nga data 5-18 shtator. Gjatë javës, ekspozita është e hapur nga ora 16.00 – 19.00, të shtunën prej 12.00 – 18.00 dhe të dielën prej orës 10.00 -18.00. Në këtë ekspozitë do të prezantohen edhe disa piktura nga Barbara Gashi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Simbol i Kosovës së lirë

Adem Jashari lindi ditën e Flamurit

Ende nuk është zbulur qëllimi i vizitës...

Aktorja turke viziton memorialin “Adem Jashari”