MENU
klinika

Analiza/ Trump: Harris, e ligë dhe e pasjellshme!

Kamala Harris, një zgjedhje historike dhe e kalkuluar

14.08.2020 - 18:16

Nga Brian Padden

Zgjedhja e Senatores Kamala Harris si kandidate për nënpresidente nga kandidati demokrat për pretendent në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, është një moment historik, por edhe një zgjedhje politike e kalkuluar, thonë analistët. Si gruaja e parë e përkatësisë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane, në dyshen konkurrente të një partie kryesore, zonja Harris sjell elementin e diversitetit kulturor e racor në këtë garë. Senatorja Harris, ish-prokurore e përgjithshme e Kalifornisë, sjell edhe përvojë të bollshme si zyrtare dhe politikane, duke përmbushur kriteret e përgatitjes së duhur për të shërbyer si presidente nëse shfaqet nevoja.

Kamala Harris që në fillim ishte një ndër favoritet në listën e gjatë të kandidatëve të zotit Biden për nënpresidente.

Senatorja nga Kalifornia përmbushte kriteret si një grua e përgatitur. Zoti Biden ishte gjithashtu nën presion brenda partisë për të zgjedhur një kandidate afrikano-amerikane në një kohë kur vendi ishte përfshirë nga thirrjet për drejtësi racore:

SKYPE. Jared Leopold strateg demokrat

“Mendoj se ishte një zgjedhje shumë e mirë për zotin Biden. Tani ai e ka vetë në dorë të zhvillojë një fushatë pa skandale e gafa. Kamala Harris është politikane e njohur. Ajo gëzon besim tek votuesit, po ashtu e kaluara e saj është e njohur në skenën kombëtare. Ai bëri një zgjedhje të zgjuar,” thotë strategu demokrat, Jared Leopold.

Zgjedhja e zonjës Harris, bijë e një imigranti nga Xhamajka dhe një imgranteje nga India, pritet t’i japë energji të re bazës së demokratëve.

SKYPE. Daniella Gibbs Léger Qendra për Përparim Amerikan

“Jam shumë e gëzuar që zgjodhi zonjë Harris. Duke qenë se jam grua afrikano-amerikane, ky është një moment për t’u shënuar sepse dikush si unë përfaqësohet në dyshen konkurrente në zgjedhjet presidenciale. Jam shumë e gëzuar,” thotë analistja Daniella Gibbs Léger.

Zonja Harris ka eksperiencë pune si prokurorja më e lartë në Kaliforni, gjithashtu edhe vitet në Senat, ku ajo ka spikatur për pyetjet e forta drejtuar kandidatëve të Presidentit Trump për poste, përfshirë të emëruarin për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh në seancat e konfirmimit në 2018. Ajo është elokuente dhe pritet të jetë një rivale e fortë në debatin përballë nënpresidentit Mike Pence.

Presidenti Trump u shpreh se zonja Harris ishte treguar “e ligë dhe e pasjellshme” gjatë pyetjeve drejtuar zotit Kavanaugh.

Presidenti gjithashtu është shprehur se zonja Harris është treguar “e ndyrë” duke u bërë jehonë shqetësimeve të ekipit të zotit Biden pasi zonja Harris sulmoi gjatë debateve partiake zotin Biden për të kaluarën e tij politike. Ajo e akuzoi zotin Biden se kishte kundërshtuar politikat e integrimit të shkollave në vitet 1970. Zoti Biden është përgjigjur se qëndrimi i tij është “keqinterpretuar”.

Fushata e Presidentit Trump nxori menjëherë një reklamë ku e cilëson zonjën Harris si radikale të krahut të majtë.

SKYPE. Patrick Basham analist

“Fushata e Presidentit Trump nuk do të kursehet. Ata kanë fonde, kanë municion politik për ta goditur këtë kandidate,” thotë analisti Patrick Basham.

Mbetet për t’u parë nëse duke e portretizuar zonjën Harris si radikale do të funksionojë për fushatën Trump. Disa shqetësohen se sulme të tilla mund të interpretohen si qëndrime seksiste, thjesht ngaqë ajo është grua.

SKYPE Daniella Gibbs Léger

“Mendoj se republikanët duhet të tregohen të kujdesshëm pasi mund të acarojnë gratë e bardha të zonave periferike, të cilat janë një grup votues jetik për të fituar zgjedhjet,” thotë Daniella Gibbs Léger.

Zgjedhja e zonjës Harris, relativisht e moderuar në një parti politike që po anon nga e majta, mund të forcojë mbështetjen për zotin Biden në radhët e votuesve të pavarur nga komuniteti i biznesit. Por ajo mund të jetë e papranueshme për krahun progresist të Partisë Demokrate që kërkojnë angazhim radikal të qeverisë në ekonomi.

Zonja Harris shihet si zgjedhje e parrezikshme për pretendentin demokrat që aktualisht kryeson në anketa, përballë një presidenti, udhëheqja e të cilit është vënë në sprovë nga epidemia dhe kriza ekonomike.

Njeriu i fuqishëm i BE-së

Kush është Manfred Weber?

Darka sekrete në vilën e presidentit të zgjedhur të SHB-ve

Trump “bën për vete” edhe themeluesin e Facebook?!

Presidenti amerikan cakton njeriun që duhet të ndalojë luftën

BE kërkon ndihmën e Trump për të “asgjësuar” Rusinë