MENU
klinika

4.2 mesatarja e golave në Champions

Ky Bayern të tremb, në finale me plot rekorde

20.08.2020 - 11:37

Bayern Munchen është finalisti i dytë i Champions League për këtë edicion. Pas PSG, edhe bavarezët do të synojnë trofeun e shumëlakmuar, me synimin për të kompletuar “tripletën” sezonale, sikurse bënë për herë të fundit me Jupp Heynckes në stol.

Në rrugëtimin e gjigantëve të Bundesligës ka një të veçantë, që e ka evidentuar edhe sajti i specializuar i statistikave në futboll, “OptaPaolo”. Bayern Munchen nuk ka asnjë humbje në krejt fushatën e këtij edicioni të Champions-it.

Vetëm Milani i sezonit 1992-1993 e kishte bërë këtë gjë, por që humbi në finale. Ky është paralajmërim. Ndërkohë ka arritur finalen e Champions League për sezonin e 11-të, duke u barazuar me Milanin. Vetëm Real Madrid ka luajtur më shumë finale në këtë garë sesa skuadra gjermane (16). Mbresëlënëse!

Robert Lewandowski më i mirë se Lionel Messi. Po flasim për golat e shënuar në një sezon të vetëm të Ligës së Kampionëve, me polakun në gjendje të kapërcente yllin e Barcelonës dhe tashmë ndjek Cristiano Ronaldon.

Falë golit të mbrëmshëm ndaj Lyon, sulmuesi bavarez arrin kuotën e 15 golave në edicionin 2019-2020 të kompeticionit kontinental. Në këtë lloj liste, ai është i treti, mbas CR7 me 17 dhe 16 gola sezonalë. Lewandowski parakaloi Messin, duke u ngjitur në podium, teksa argjentinasi kishte realizuar 14 gola në Champions, në sezonin 2011-2012.

Polaku ka barazuar një nga rekordet e CR7, që e mbante i vetëm krejt podiumin. Portugezi, në fakt, me fanellën e Real Madrid arriti të shënojë përkatësisht 17 herë në sezonin 2013-2014, 16 herë në sezonin 2015-2016 dhe 15 herë në sezonin 2017-2018.

Gnabry shënoi golin e nëntë në 9 ndeshje të këtij sezoni në Champions League, por ai mund të barazojë Haaland me 10 gola, që ndodhet i dyti si shënues në finale. Asnjëherë më parë një dyshe sulmuese (Lewandowski + Gnabry) nuk kishte shënuar 24 gola (mund ta përmirësojnë në finale) në një edicion të Champions League.

Ndërkohë, Bayern Munchen ka mesataren më të lartë të golave të shënuar ndonjëherë në Champions, me 4.2 gola. Bavarezët kanë shënuar deri tani 42 gola në 10 ndeshje. Vetëm Barcelona ka shënuar më shumë gjatë një edicioni, 45, por në 16 ndeshje dhe jo të gjitha fitore.

Në vendin e tretë gjendet Liverpool me 41 gola në 13 ndeshje dhe më pas Real Madrid po 41 gola në kaq ndeshje. Nëse në çerekfinale dhe gjysmëfinale nuk do të kishte ndeshje teke, me siguri që shifra e golave të shënuar nga Bayern Munchen këtë sezon do t’i kalonte 45, por këtë mund ta arrijë në finale nëse shënon 3 gola. Kurrë mos thuaj kurrë me këtë Bayern!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Polaku mund të arrijë Ronaldon

Rekordet dhe 5 sekretet e Robert Lewandowskit