Përveçse mund të shkaktojë pagjumësi, ëndrra të çuditshme, dhimbje koke, ankth dhe depresion, stresi nga pandemia e COVID-19 gjithashtu mund të ndikojë në ciklin menstrual të grave dhe vajzave – duke sjellë vonesa ose edhe mungesa të periodave.
“Dihet se në rrethana stresuese, ka shumë të ngjarë të shihni ndryshime në ciklin menstrual. Gjatë kësaj periudhe po marr mesazhe nga pacientët që më thonë se kanë shumë probleme me ciklin e tyre,” -thotë Leah Millheiser, drejtoreshë e Programit të Mjekësisë Seksuale në Stanford Health Care, për Allure.
Ndërsa ekspertët thonë se ndryshimet e përkohshme, të shkaktuara nga stresi, janë relativisht të zakonshme, por është e rëndësishme të kontrolloheni nga një mjek nëse këto ndryshime vazhdojnë.
Cikli menstrual është një tregues i shëndetit të gjithë trupit. Por kur keni arsye të shqetësoheni dhe çfarë ndodh në të vërtetë kur stresi ndryshon ciklin tuaj?
Fillimisht cili është një cikël “i rregullt”?
Sipas mjekëve të intervistuar nga Allure, kohëzgjatja normale e ciklit menstrual mund të ndryshojë nga personi në person, por zakonisht është midis 21-35 ditësh.
Disa njerëz kanë ndryshime çdo muaj, por vonesat deri në shtatë ditë mund të jenë normale. Shqetësuese është kur një person ka një cikël normal dhe befas periodat fillojnë t’i vijnë çdo gjashtë javë ose çdo tre muaj. Në këtë rast duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj.
Si e ndryshon stresi një cikël menstrual?
Gjatë periudhës së pandemisë, gratë dhe vajzat mund të vërejnë vonesa periodash, ose gjakderdhje mes cikleve. Stresi emocional i shkaktuar nga pandemia mund t’i nxisë këto ndryshime.
Arsyeja pse stresi ndikon në ciklin menstrual mund të ketë të bëjë me hormonet. Stresi bën që niveli i kortizolit të rritet, gjë që mund të ndikojë në ciklin hormonal, që është përgjegjës për ovulimin dhe peroidat te vajzat dhe gratë.
Megjithatë vonesat në cikël mund të jenë gjithashtu një shenjë e sindromës së vezores policistike, çrregullimeve të tiroides ose gjendrave endokrine etj. Prandaj për të zbuluar shkakun e saktë konsultohuni me mjekun.