MENU
klinika

Premier League, Java 1

Bollëk golash në start, Liverpool mposht Leeds

12.09.2020 - 19:31

Premier League ka nisur me bollëk golash. Arsenal fitoi 3-0 në ndeshjen hapës, ndërsa më pas ishte radha e Liverpool të fitonte në shtëpi 4-3 ndaj Leeds. Një ndeshje spektakolare mes kampionëve dhe debutuesve të rinj, ku Salah edhe njëherë tregoi veten e tij.

Ndeshja nisi mbarë për “Redsat” që gjetën golin me Salah në minutën e 4′. Egjiptiani realizoi nga një penallti, por gjithçka u barazua shpejt nga Leeds. Harrison realizoi mjaft bukur për 1-1. Ai dërgoi topin në rrjetën e Alisson në minutën e 12′ me një gjuajtje të bukur nga jashtë zone.

Van Dijk u dha avantazhin Liverpoolit në minutën e 20′. Ai dërgoi topin në rrjetë me një goditje me kokë, por gjithashtu gaboi rëndë duke i faluar barazimin Leeds. Holandezi i dhuroi një top sulmuesit Bamford në të 30′ që e dërgoi në rrjetë për 2-2.

Salah dërgoi djemtë e Kloppit sërish në avantazh pas 2 minutash. Sulmuesi lëshoi një silurë që shkundi rrjetën kundërshtare për 3-2. Miqtë nuk u dorëzuan në asnjë moment dhe barazuan në pjesën e dytë. Leeds barazoi në minutën e 66′ me Klich me një gol mjaft të bukur.

Liverpool rriti presionin dhe shënoi golin e fitores sërish me penallti në minutën e 88′. Salah nuk gaboi për hat-trickun e tij. Ai shmangu portierin dhe i dha ekipit të tij 3 pikët e para në një ndeshje spektakolare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN