MENU
klinika

Kreu i FSHF, kritika Kombëtares

Duka: Kur hyn si gjeneral në fushë, turpërohesh

09.09.2020 - 10:51

Numri një i futbollit shqiptar ka kritikuar kuqezinjtë për paraqitjen e dobët që bënë me Lituaninë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndoqi nga afër paraqitjen e kombëtares U-21, që fitoi 3-1 ndaj Andorrës, pas një 90- minutëshi emocionues. Në prononcimin për mediet pas ndeshjes, Duka komentoi edhe humbjen e Kombëtares A.

President, nga një humbje e kombëtares me Lituaninë te një fitore e Shpresave me Andorrën. Çfarë mund të na thoni për këto dy ndeshje?

Në fakt, të dyja ishin ndeshje të vështira, por në ndryshim nga kombëtarja të hënën, ekipi U-21 luajti mirë, pavarësisht se ishte në disavantazh, kishte besim dhe e ktheu rezultatin e ndeshjes. Pra, tregoi me të vërtetë karakter.

Kombëtarja U-21 është në udhën e mbarë me të dyja ndeshjet, në Austri dhe këtu; kurse kombëtarja A zhgënjeu jo vetëm me rezultat, por nuk dha asgjë në fushë. Nuk mendoj se ishte vetëm lodhja, që padyshim ndikoi, por përqendrimi për të vlerësuar çdo lloj kundërshtari, domethënë për t’u kthyer me këmbë në tokë, për ta fituar ndeshjen në fushë.

Kjo vetëkënaqësi na penalizoi. Gjithsesi, duhet t’i lëmë mbrapa dhe të shikojmë përpara ndeshjet e tjera; të vazhdojmë të jemi pretendentë për ta udhëhequr grupin. Duhet të marrim rezultat pozitiv në Kazakistan dhe në Lituani.

Sa për lojën që ishte e dobët, a mendoni se ishte ndeshja më e dobët që ju keni parë ndonjëherë nga Shqipëria?

Jo, nuk mund të them, nuk i ndodh vetëm Shqipërisë, iu ndodh rëndom edhe skuadrave të tjera, që pas një euforie të mos kenë përqendrimin e duhur. Por, që të jesh skuadër e madhe, duhet të kesh përqendrimin e duhur. Pikërisht për këtë ne nuk jemi skuadër e madhe. Duhet të përqendrohemi maksimalisht, të japim mbi 100%, që të marrim rezultat pozitiv. Nëse hymë në fushë si gjeneralë, patjetër që do të dalim të turpëruar.

Te Shpresat pati disa të rinj, që luajnë në Superiore. A do ta mendojë Komiteti Ekzekutiv një ditë që t’i shpërblejë klubet për lojtarët që sjellin në kombëtaret e moshave?

Patjetër ne i mbështesim talentet. Ata janë fryt i punës së përbashkët i gjithë futbollit shqiptar janë e ardhmja e ekipit të parë. Në fushë pamë shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, të cilët kanë dëshirë për të luajtur dhe japin maksimumin në fushë. Pamë mbrojtësin që shënoi gol për herë të dytë, Selmani, vetëm me seriozitet, dëshirë dhe përkushtim maksimal ka arritur këtu.

A ju mërzit fakti që kampionati po shtyhet?

Patjetër që na mërzit, sepse duam të shikojmë futboll përditë, jo njëherë në javë. Uroj që kampionati të luhet.

Nuk ka një vendim akoma?

Për ne kampionati duhet të luhet, pastaj ekipet kanë vendimmarrjen e tyre.