MENU
klinika

Prof.Dr. Kristaq Xharo/ Si të përballemi me sukses?

Kur deti nuk ndahet në Facebook…

05.09.2020 - 20:42

“E vetmja monedhë e shkëmbyeshme në marrëdhëniet ndërkombëtare është fuqia.” Hans Morgenthau.

Deklarata e kryeministrit grek ishte si një hapje e ‘frontit të dytë’ në situatën e tanishme. E bllokuar ne Egje me lojëra lufte, situata nuk po del nga ngërçi. Në këtë moment ngritja e çështjes së detit vjen për Micotaqis si një çfryrje e tensionit të krijuar, një mënyrë ‘greke’ për të zhvendosur vëmendjen, por edhe për të paraqitur një model për trajtimin e precedentëve detare. Pas suksesit me Italinë dhe Egjiptin për kufijtë detar, Shqipëria do të ishte suksesi i radhës në gjeopolitikën greke. Momenti fillestar duket se krijoi edhe befasi. Është meritë e medias, që afroi njohësit tanë më të mirë për çështjet detare që vendosën ‘një ekuilibër’ me agresivitetin e rrjeteve sociale, që edhe më parë kishin bërë rindarje e kufijve dhe gjetur ‘heronjtë dhe tradhtarët.’ Tre çështje afrohen në këtë shkrim: Egjeu si vatër konflikti, por jo lufte; a po transferohet ‘konflikti’ nga Egjeu në Jon dhe si të përballemi me sukses për detin.

1. Egjeu si vatër konflikti, por jo lufte…

Situata e tanishme midis Greqisë dhe Turqisë nuk besohet se ndërpret ndonjë telenovelë dashurie në marrëdhëniet e tyre. Të dy shtetet ballkanike kanë shkuar në katër luftëra të mëdha, që pas krijimin të shtetit grek (1830): – Lufta Greko-Turke (1897), Lufta e Parë Ballkanike e 1912-1913, Lufta e Parë Botërore (1914-1918) dhe përfundimisht Lufta Greko-Turke (1919–22). Të dy vendet hynë në NATO në 1952. Njihen gjashtë kriza të mëdha apo prag konfliktesh pas kësaj periudhe. Marrëdhëniet u përkeqësuan në vitin 1955, çështjes së Qipros në vitin 1960, ndarja e Qipros në 1974, krizën ushtarake Imia / Kardak në 1996, por pa u ndërprerë asnjëherë edhe në konfrontimet e mëvonshme për mosmarrëveshjen e Egjeut. Konflikti aktual, nga shumë analistë krahasohet me atë të vitit 1974.

Paradokse ‘lufte’ nga Egjeu. Për të dhënë parashikime për çfarë po dhe do të ndodh në Egje ka shumë hipoteza. Duke i qëndruar idesë se asnjë nga vendet nuk dëshiron dhe nuk ka interesa për ta shndërruar këtë konflikt në luftë po afrojmë dy paradokse. Paradoksi i parë i përngjan një situate lufte, ku anije nga të dy shtetet ‘armiq’, dhe aleatë në NATO-s, me gryka zjarri e silura të mbushura e të drejtuara shoqërojnë njëra tjetrën, por me përkujdesjen që të mos përplasen. Avionë luftarak, të dy vendeve ‘armiq’ fluturojnë mbi ishuj me kurse të përllogaritura që të mos trazojnë aksidentalisht kundërshtarin. Media me tituj të fryrë lufte lulëzon në të dy anët e kufirit. Diplomatë europianë, që vrapojnë në kryeqytetet e të dy vendeve për të lëshuar deklarata edhe pse të zënë për fyti me maskat e koronës. Paradoksi i dytë, ndoshta edhe më i prekshëm. Ndërkohë, që nëpër ekrane zhvillohet ‘luftë’, kolona të gjata automjetesh hyjnë e dalin në dhe nga kufijtë e shteteve që po ‘luftojnë’. Turistë, emigrantë apo edhe refugjatë lëvizin për në vendet ku supozohet se do të zhvillohet lufta. Lufta e vetme për të cilën realisht janë të shqetësuar mbetet covidi.

Konflikti nën ligjet e luftës. Parimet e mendimtarit më të madh të luftës Klausevitz, se ‘..lufta është një akt madhor, vazhdim i politikës me mjete të tjera..’. Edhe formulat e ligjet e zbuluara për luftën nga emra të mëdhenj si Moltke, Jomini, Mahan, apo Lidël Hart, duken të përmbytura në ujërat e Egjeut, apo më shumë në oqeanin e facebook-ut. Këta autorë na ‘konfirmojnë’ se të dy vendet nuk dëshirojnë të shkojnë në luftë, por lëvizin dhe janë në një garë për të zënë një pozicion më të favorshëm për tavolinën e ardhme të bisedimeve. Ato kanë objektiva që nuk mund të realizohen nëpërmjet luftës. Njëra palë për të rikuperuar sa të mundë nga gjymtimet e Traktatit të Sevrës (1920) dhe të Lozanës (1923) dhe pala tjetër për të ruajtur ‘statukuonë’. Tavolinën e ardhme do ta organizojnë fuqitë e mëdha. Turqia dhe Greqia po luajnë me raporte fuqie.

2. A po ‘transferohet konflikti’ nga Egjeu në detin Jon?

Çdo lloj zhvillimi në dhe midis dy vendeve fqinjë (Greqi dhe Turqi) sigurisht që ka ndikim direkt te ne ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër ballkanik. Pala turke, më tepër se interesat ekonomike po kërkon një pozicion të ri në gjeopolitikë ne ambicien edhe për të ndryshuar gjeografinë duke qenë se Sevra dhe Lozana po i qëndrojnë ngushtë. Ndërsa pala greke ruajtjen e statukuosë e konsideron interes mbijetese. Dhe në këto kushte aq sa i nxehtë po aq dhe i ngrirë Egjeu do të japë ndikim në gjithë Mesdheun. Kapërcimi i kësaj situate nga Greqia mund të realizohej nëpërmjet ‘hapjes së frontit të dytë’ dhe vendi ideal mbetej deti Jon. Zhvendosja, qoftë edhe hipotetike, drejt Jonit sa sensitive merr karakter strategjik. Pas marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin, Greqia vazhdon suksesshëm plotësimin e objektivave madhor. Ndërsa me Jonin përmbyll edhe drejtimin perëndimor. Me kalimi për në Jon, Greqia i jep mundësi vetes për frymëmarrje të thellë duke vazhduar ‘suksesin’, por njëkohësisht realizon edhe një manovër të thellë krahëmarrje për në Egje, duke krijuar modelin e trajtimit të rastit.

A është Joni një ‘fushë-beteje’? Në rrjetet sociale është më shumë se ‘fushë-betejë’. Në të vërtetë Joni është një ‘dinamikë’ e filluar prej vitesh dhe që mbart mjaft histori me ulje ngritjet e saj. Joni do të jetë një ‘fushë-betejë’, por në kapacitete të fuqisë së butë ‘soft power’. Rikthimi në vëmendje i çështjes së detit Jon edhe pse me ngjyra të tjera në këtë situatë është një vazhdim… Ajo çka ndryshon dhe e zgjeron debatin është trajtimi i deklaratës së shtetit grek për 12 milje detare. Se cilat mund të jenë implikimet e angazhimit grek, më tepër se përçartjeve në facebook apo deklaratave politike prirem tu referohem ideve dhe opinioneve interesante të dhënë në media nga disa prej njohësve më të mirë të çështjes së detit: Kolonel Pashaj, kapiten Mecollari, profesor Krisafi, profesor Metalla, e të tjerë. Ata shpjegojnë jo thjesht implikimet e kësaj çështje (12 milje) me çështjen e mëparshme (delimitimin), por edhe afrojnë ide mjaft interesante për njohjen dhe trajtimin e këtij problemi. Në opinionin e përgjithshëm shprehet se ideja për zgjerimin e hapësirës detare në Jon do të ketë implikime të forta veçanërisht aty ku hapësirat detare të dy vendeve ndërthuren, ngushtohen apo integrohen me statusin e ishujve. Duke e konsideruar Jonin një ‘fushë-betejë’ në soft power krahasimet e fuqisë mund të zhvendosen në këtë kontekst ku fusha e betejës është tavolina e bisedimeve, goditjet dhe manovrat janë skenarët e bisedimeve dhe palët në luftë janë ekipet e ekspertëve.

3. Si të përballemi me sukses për detin?

Tavolina, skenarët dhe ekipet. Duke besuar që të dy palët kanë pranuar që ta zhvillojnë ‘betejën’ në tavolinë, rezultati qartas do të përcaktohet nga ekipet që do të ‘luajnë’, përbërja dhe kapacitetet e tyre profesionale, strategjitë, taktikat dhe aftësitë komunikuese, mbështetja me informacion dhe zinxhiri i komunikimit. Tavolina mund ti përngjajë edhe një ‘fushe beteje’ ku kapacitetet për ta njohur mjedisin dhe përdorur atë mund të japin avantazhe apo edhe dis-avantazhe. Në këtë tavolinë ekipet do të luajnë me skema dhe skenarë të larmishëm shpesh edhe të panjohur nga kundërshtari dhe ku jo gjithmonë njohja rregullave të lojës mund të ndihmojnë. Duke qenë se në qendër të tavolinës do të jenë interesa strategjikë kombëtarë (territor-hapësirë detare) pak duhet të besohet për paanshmërinë e palës tjetër.

Dhe ekipet. …Duhet pranuar që ekipi grek ka një eksperiencë të pasur dhe vjen nga disa përballje të suksesshme të këtij lloji me shtete të tjera si me Italinë, Egjiptin, Libinë etj. Kjo eksperiencë pasurohet edhe me historinë e përplasjeve me Turqinë. Të gjitha këto i kanë dhënë mundësinë ekipit grek për të provuar limitet e veta në situata normale, por edhe në situata tensioni. Ekipi grek gjatë gjithë kohës luan në sulm, me objektiva të qarta, që i paraqet si një të drejtë të kulluar e për të cilat punon pandërprerje (7×24). Kundërshtari nuk ka probleme me formacionin që do të luaj, sepse ka ekip të përhershëm dhe që punojnë me shumë skenarë. Pjesëtarët e ekipit grek janë profesionistë, njohës të së drejtës së detit dhe me angazhim intelektual.

Ekipi ynë… Jam pozitiv se kemi kapacitete për tu ndeshur në fushën e ekspertizës, informacionit dhe të drejtës. Megjithëse me eksperiencë modeste, me ndryshime të vazhdueshme formacioni apo përplasje për përbërjen e ekipit, kryesisht për pozicione partiake, përsëri është mundësia për ndeshje dinjitoze. Krahas kapaciteteve profesionale, intelektuale e rëndësishme është organizimi dhe sinkronizimi në ekip. Siç e përmenda më lart, këto ditë lexuesi mund të jetë njohur të paktën me ide të disa prej njohësve më të mirë për trajtimin e çështjeve të detit: kolonel Pashaj, kapiten Meçollari, prof. Metalla, prof Krisafi etj). Krahas kontributit që dhanë në sqarimin profesional të publikut, ata edhe pse të ndryshëm shfaqin ide mjaft interesante, që mund të shërbejnë që sot si skenarë për ditën e nesërme. Pavarësisht se në pamje të parë ato duken se dallojnë mjaft nga njëra tjetra ato mund të konsiderohen oponenca cilësore për një grup serioz negociator. Në çdo rast ato mund të ishin më së paku katër skenarë në një problem të tillë.

Ekipi ynë duhet të jetë permanent funksional. Ai duhet të jetë në gatishmëri të përhershme (7×24) duke punuar me skenarë të ndryshëm, duke zbuluar pikat e forta dhe të dobëta të vetat dhe të palës tjetër, objektivat e tij, por mbi të gjitha të njohë, të mbrojë dhe promovojë me argumente të drejta profesionale e shkencore interesat tona. Debatet më të fundit tregojnë, që ne ndjehemi komod kur qëndrojmë në pozicion mbrojtës dhe duket se presim të nisim betejën kur ‘kundërshtari të jetë te porta’. Edhe më vështirë të ndodhemi pa përgatitur për skenarë e pa u trajnuar me simulime apo të shkojmë ‘në front’ ditën e bisedimeve, me lojtarë që nuk kanë luajtur asnjë ndeshje dhe që nuk vijnë nga ekipe zinxhir. Esenciale janë kapacitetet dhe mënyra se si luajnë e jo të merremi me biografitë e tyre. Më shumë se për njerëz me funksione në ekip, duhet menduar për njohës sa më të zotë të fushës. Edhe në rast të zëvendësimi, personat për eksperiencën dhe njohuritë që mbartin, mund dhe duhet të jenë pjesë e stolit për ndeshjen më të madhe.

Në përfundim kemi rastin më të mirë për të demonstruar mençuri në këtë proces, duke mos reaguar me impulsivitet e naivitet, por duke krijuar dhe pasur besim te ekspertët të cilët i disponojmë, duke krijuar një ambient të favorshëm i cili edhe në publik e mbështet grupin përfaqësues negociator në këtë proces. Kjo kërkon maturi në veprime, politika është politikë dhe aktorë të ndryshëm do të flasin sipas objektivave, por të mos harrojmë kjo është një çështje kombëtare e cila shtrihet mbi ambiciet e ndryshme politike. Shqipëria ka radhën e saj për të mirë a për të keq të paraqitet në tavolinën e diplomacisë. E ndërsa ekipi negociator përgatitet për ‘’përballje’’, detyra jonë si qytetar, por dhe si atdhetar është ti mbështesim ata me kapacitetet dhe mjetet e duhura.

*Prof.Dr. Kristaq Xharo, pedagog për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ndoqëm zhvillimet në parlamenin grek, është një e drejtë që buron nga konventa ndërkombëtare"

“Greqia do të zgjerojë kufirin detar”, reagon MEPJ

"Një gjë është e sigurtë dhe nuk e luan as topi…"

“Falje deti grekut?” Rama reagon sërish

Profesor Metalla nxjerr hartat: Të drejtat që i mohohen Shqipërisë!

“Ç’ndodh nëse Greqia zgjeron detin territorial në 12 milje?”