MENU
klinika

Këshillat që duhet të injoroni!

“Luftojnë koronavirusin, nga rakia te akullorja”

02.09.2020 - 07:40

Përgjatë kësaj situate të vështirë dhe vështirësisë që njerëzit kanë për tu qetësuar ka shumë artikuj që flasin si të luftoni koronavirusin, por shumë prej tyre janë jo vetëm të pabazuara shkencërisht, por mund të jenë edhe të dëmshme për ju. Më poshtë sjellim një listë të të gjithë këshillave të gabuara dhe arsyet pse nuk duhet ti zbatoni.

Rakia

Pavarësisht “këshillave” të shpërndara kudo, shkenca thotë “jo, rakia nuk e lufton koronavirusin”. OBSH nuk e mbështet idenë se pijet me përqindje të lartë alkooli ju mbrojnë nga Covid-19. Rakia ka veti dezinfektuee të kufizuara, pasi sasia e alkoolit është nën 50%. Që dezinfektuesi të jetë efektiv, duhet të ketë të paktën 60% alkool.

Hudhra

Shumë postime online rekomandojnë që hudhra ka veti për të parandaluar koronavirusin. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se “hudhra është një ushqim i shëndetshëm me veti anti-mikrobe”, por nuk ka asnjë provë që ka veti mbrojtëse ndaj koronavirusit. Dihet botërisht që frutat, perimet dhe uji ju ndihmojnë që të qëndroni më të shëndeshëm, por nuk ka prova specifike që ndihmojnë në luftimin e virusit të ri.

Konsumi i ujit çdo 15 minuta

Specialistët thonë se nuk ka “asnjë mekanizëm biologjik” që mund të luftojë një virus të aparatit të frymëmarrjes përmes stomakut. Sidoqoftë, të qëndruarit të hidratuar është një këshillë e mirë mjekësore, por nuk ju mbron nga infektimi me koronavirus.

Nxehtësia dhe shmangia e akullores

Në postime të shpërndara së fundmi në rrjete sociale, thuhet se nxëhtësia vret koronavirusin dhe duhet të shmangni akulloren. Postimi u aludua si informacion i dhënë nga Unicef, por Charlotte Gornitzka e Unicef hodhi poshtë pretendimin duke thënë se është e pavërtetë. “Ne e dimë që virusi i gripit nuk mbijeton gjatë jashtë trupit në verë, por nuk e dimë me siguri si ndikon nxehtësia te koronavirusi i ri,” tha ajo. Pra, banjat e nxehta dhe konsumi i lëngjeve të ngrohta nuk do të ndryshojnë temperaturën aktuale të trupit, e cila mbetet e qëndrueshme në rast se nuk jeni të sëmurë.