MENU
klinika

Presioni i Erdogan

Mediat turke: Rama mbyll shkollat “gyleniste” në Shqipëri

25.09.2020 - 11:20

Shqipëria duket se i është nënshtruar presionit të Erdogan, për mbylljen e disa shkollave të financuara nga Fetullah Gylen në Shqipëri. Kjo bëhet me dije nga mediat turke.

Ja çfarë shkruan Anadolu Agency:

“Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri.

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur edhe mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë), që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”.

Vendimet që janë marë me propozimin e ministrit përgjegjës të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe që mbajnë datën 23 shtator për mbylljen e institucionit arsimor parauniversitar privat medreseja “Hafiz Abdullah Zëmblaku” dhe institucionit arsimor privat fetar, i nivelit të arsimit të mesëm të lartë medreseja “Ali Korça” dhe 16 shtator (MIST) janë publikuar në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Përmes Fondacionit “Sema” organizata terroriste FETO në vitet e fundit kishte shtrirë ndikimin e saj në fushën e arsimit në vend, pasi duke i marrë nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë (KMSH) apo edhe duke bashkëpunuar me këtë institucion, ka nën administrim disa medrese në vend, përfshirë edhe ato që janë mbyllur me vendim qeverie, ajo e Kavajës dhe Korçës.

Sipas informacioneve të publikuara në faqen e internetit të Fondacionit “Sema”, ky fondacion zhvillon veprimtarinë e tij në bashkëpunim me Komunitetin Musliman të Shqipërisë dhe drejton zhvillimin arsimor të shkollave 9-vjeçare, të mesme në Tiranë, medresesë “Liria” në Elbasan (e mesme), Medresssë “Hafiz Ali Korça” në Kavajë (djem-vajza, e mesme), medresesë “H. Mahmud Dashi” – Tiranë, (9-vjeçare dhe e mesme) dhe Medreseja e “Korçës” (e mesme).

Sipas vendimeve, institucionet arsimore që mbyllen kanë detyrim që të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar dhe të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj nxënësve.

Gjithashtu institucionet e mbyllura kanë për detyrim të vënë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në vendime.

Sipas vendimeve, ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, institucionet e mbyllura dhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë për zbatimin e vendimeve. Vendimet në fjalë do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Marrëveshje me Shqipërinë si ajo me Egjiptin, por me kushte të…”

Çfarë shkruajnë mediat greke për takimin Rama- Mitsotakis?

Media greke citon diplomatin: Do t’i bëjmë një ofertë që s’do ta refuzojë dot

A mundet Rama të bëjë një marrëveshje me Greqinë në prag të zgjedhjeve?