Nafta e ka nisur në qëndrueshmëri sesionin e parë të kësaj jave, pasi në njërën anë, stuhia tropikale që goditi Gjirin e Meksikës ka detyruar kompanitë të evakuojnë stafin dhe të ndalojnë prodhimin, ndërsa në anën tjetër investitorët vijojnë të jenë të shqetëusar për ngadalësimin e rritjes së kërkesës, si pasojë e përhapjes së virusit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 37 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet lehtë nën nivelin e 40 dollarëve për fuçi.
Stuhia tropikale, Sally u forcua në Gjirin e Meksikës të dielën dhe pritet që të shndërrohet në një uragan të kategorisë 2. Stuhitë po shkaktojnë çrregullime në prodhim për herë të dytë brenda një muaji. Zakonisht, çmimet e naftës rriten kur ndalohet prodhimi, por me situatën aktuale të pandemisë, investitorët janë më të shqetësuar për ngadalësimin e kërkesës dhe rritjen e rezervave në rang global.
SHBA është konsumatori dhe prodhuesi më i madh i naftës në botë. Ndërkohë, investitorët janë në pritje edhe të takimit të OPEC+, që zhvillohet më 17 shtator, ku do të diskutohet angazhimi për respektimin e marrëveshjes për uljen e prodhimit me 7.7 milionë fuçi në ditë. Analistët mendojnë se nevojiten shkurtime të tjera të kuotave të prodhimit.