MENU
klinika

Eliminatoret e Katar 2022

Brazili me “5 yje”, nuk fal edhe Kolumbia

10.10.2020 - 10:32

Brazili e nisi në mënyrë perfekte fushatën eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022, pasi mposhti Bolivinë me rezultatin e thellë 5-0 në sfidën e zhvilluar në “Neo Quimica Arena” të Sao Paolos.

Mbrojtësi i Paris Saint Germain, Marquinhos hapi serinë e golave në minutën e 16’, teksa pas një krosimi të Danilos nga krahu, doli i lirë në qendër të zonës dhe gjuajti saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë.

Në minutën e 30’ ishte mesfushori Renan Lodi, që kombinoi bukur me Neymar në krahun e majtë të sulmit dhe dërgoi topin në zonë, aty ku sulmuesi i Liverpoolit, Roberto Firmino e pati të lehtë ta shtyjë në rrjetë.

Në fillim të pjesës së dytë ishte sërish Firmino që kompletoi dopietën personale, pasi dërgoi sërish topin në rrjetë me një pasim të Neymar. Më pas ishte Carrasco që shënoi autogol dhe në fund Neymar gjeti sërish Coutinhon të lirë në zonë, me fantazistin e Barçës që shënoi edhe golin e pestë me kokë.

Sfida tjetër e mbrëmjes ishte ajo mes Kolumbisë dhe Venezuelës, e cila u fitua nga vendasit me rezultatin e pastër 3-0. Kolumbianët vulosën gjithçka që në pjesën e parë të ndeshjes, pasi hapën serinë e golave me Duvan Zapatën dhe vulosën gjithçka me sulmuesin tjetër të Atalantës, Luis Muriel, që shënoi dy herë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN