MENU
klinika

Projekti gjigant

Gati atlasi i qelizave njerëzore të zemrës!

02.10.2020 - 12:21

– Zemra e njeriut zbulohet me rezolucion shumë të lartë në atlasin e parë të qelizave të zemrës.

Mbi 500 000 janë hartuar dhe analizuar një për një, deri në detajet më të vogla molekulare për të zbuluar se si funksionon një zemër e shëndetshme dhe çfarë mund të shkojë keq në rast sëmundjeje.

Rezultati, i cili mund të hapë rrugën për zhvillimin e terapive të personalizuara për ilaçet precize të së ardhmes, është botuar në revistën ”Nature” nga një grup ndërkombëtar që përfshin studiues nga Harvardi, ”Brigham Hospital”, instituti ”Wellcome Sanger”, qendra ”Max Delbruck Center for Molekular Medicine” dhe ”Imperial College” i Londrës.

Rezultati është pjesë e projektit të madh ”Human Cell Atlas” i cili synon të hartojë të gjitha llojet e qelizave të pranishme në trupin e njeriut: qëllimi i tij është i krahasueshëm me atë të Projektit të Gjenomit Njerëzor, i cili në vitin 2000 mori hartën e parë të ADN-së njeriut.

Atlasi i qelizave të zemrës u bë duke përdorur 14 organe të shëndetshme nga dhuruesit që nuk kanë të drejtë për transplantim, ku studiuesit mblodhën dhe studiuan rreth 500 000 qeliza duke kombinuar analiza biokimike me një qelizë, teknikat e imazhit dhe të mësuarit makinerik.

Kështu ata ishin në gjendje të shihnin se cilat gjene ndizen dhe fiken në secilën qelizë, duke gjetur ndryshimet që dallojnë pjesë të ndryshme të zemrës.

“Ne gjithashtu kemi hartuar qelizat e zemrës që mund të preken potencialisht nga virusi SarsCoV2 dhe zbuluam se qelizat e specializuara në enët e vogla të gjakut mund të vihen në shënjestër të virusit”, shpjegon studiuesja italiane Michela Noseda, e cila punon në ”Imperial College”.

“Të dhënat tona janë një minierë informacioni për të kuptuar hollësitë e sëmundjeve të zemrës”, shtoi ajo.