MENU
klinika

Një femër fatale, di edhe të vdesë!

Mata Hari, gruaja që turbulloi burrat dhe Luftën e Madhe

15.10.2020 - 15:27

         Në të vërtetë, Margaretha Zelle nuk kishte dhënë kurrë ndonjë informacion të vlefshëm, as për gjermanët, po as për francezët. Më 15 tetor 1917, censurë në gazetat franceze: askush nuk duhet ta dijë se Mata Hari, kërcimtarja e famshme me sensualitet oriental, u ekzekutua për spiunazh në favor të Gjermanisë. Seksi dhe fuqia, maskimi i aspekteve të shumta të jetës së saj e çoi holandezen bukuroshe me pamje indiane drejt famës, më pas para togës së pushkatimit, mes manovrave të shërbimit sekret gjatë Luftës së Parë Botërore./Konica.al

Në të gdhirë të 15 tetorit 1917, togeri Mornet u paraqit në burgun Sën-Lazar të merrte Mata Harin e ta shoqëronte në vendin e ekzekutimit. Në qelinë e saj, ajo e përshëndeti, duke protestuar: “Ç’e kanë këtë zakon francezët, t’i ekzekutojnë njerëzit në agim!” Presidenti i Republikës, Poincaré, nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për falje, ndaj i duhej të shkonte! Për shfaqjen e saj të fundit, ajo vendosi të bëhej më e bukur se çdo herë tjetër. Veshi një fustan mëndafshi të zbukuruar me gëzof dhe në kokë vendosi një kapelë kashte të vogël bardhezi. Nuk do të dilte kurrsesi e pakuruar. Në hendeqet e kështjellës Vincen, spiunia e hirshme nuk shfaqi asnjë lloj frike. Në vendin e ekzekutimit e prisnin 12 ushtarë të zgjedhur nga regjimenti i Zhuaves. Refuzoi me mirësjellje, lidhjen e duarve dhe mbulimin e syve. Me buzëqeshjen në buzë, u dërgoi nga një puthje 12 ushtarëve që qëndronin 10 metra para saj, në pritje të urdhrit për të qëlluar. Kur Mata Hari ra përtokë, një oficer u afrua dhe i dha goditjen e fundit pas veshit, ishte goditja tradicionale “coup de grace”.

Mata Hari posedonte një personalitet të jashtëzakonshëm. Me emrin e vërtetë Margaretha Zelle, lindur në 1876, në veri të Hollandës, që fëmijë u dallua nga shprehia, karakteri i pafytyrë dhe dhuntia për gjuhët e huaja. Kuptoi që në moshë të re, se mënyra më e mirë për të marrë atë që dëshironte ishte të kënaqte meshkujt, nisur nga i ati, i cili e llastonte dhe e mbushte me dhurata të shtrenjta. Ishte një “fëmijë orkide”, e quante një shoqe klase, një vajzë e vogël e brishtë, zeshkane, e cila dallonte nga vajzat e tjera të shkollës lëkurëzbehta, flokëverdha. Lumturia e fëmijërisë përfundoi me largimin e të atit me një grua tjetër në 1889, pasuar nga vdekja e nënës në 1891.

“Doja të jetoja si një flutur në diell”, – do shprehej ajo në një intervistë. U fejua gjashtë ditë pasi u njoh me të shoqin dhe u martua në korrik 1895. Jeta bashkëshortore u pasua me zhgënjime, probleme, borxhe. Në 1902 martesa përfundon në divorc, shënuar nga vështirësitë e përjetuara në Indi, hollandezja e re fillon një transformim sa të thellë, aq edhe radikal, duke u shndërruar në një femër fatale. Në 1905, një kërcimtare ekzotike, e quajtur Mata Hari – “syri i ditës” në gjuhën malajziane, shpërtheu në jetën e shoqërisë pariziane, duke performuar në muzeun “Guimet”, Muzeu Kombëtar i Arteve Aziatike. Në një kohë kur çdo burrë i pasur dhe i fuqishëm dëshironte të kishte një dashnore të bukur, Mata Hari konsiderohej gruaja më tërheqëse, joshëse dhe e dëshiruar në Paris. Ajo frekuentonte aristokratë, diplomatë, financues, ushtarakë të rangjeve të larta dhe sipërmarrës të pasur, të cilët i dhuronin gëzofe, bizhuteri, kuaj, enë argjendi, orendi dhe pallate elegante për kënaqësi e thjeshtë për të qenë në shoqërinë e saj. Për vite me radhë, ajo mbushi teatrot e kryeqyteteve kryesore evropiane. Në vjeshtën e vitit 1915, ndërsa ishte në La Haye, kërcimtaren ekzotike e vizitoi Karl Kroemer, Konsull Nderi i Gjermanisë në Amsterdam, i cili i ofroi 20 000 franga, ekuivalenti i më shumë se 50 000 euro sot, që ajo të spiunonte në favor të Gjermanisë. E pranoi shumën, të cilën e konsideroi si dëmshpërblim për gëzofet, bizhuteritë dhe paratë që gjermanët i kishin konfiskuar në fillimet e luftës, por më vonë pohoi se kurrë nuk bëri atë që i ishte kërkuar./Konica.al

Kur filloi lufta, në 1914, shkoi në Francë. Agjentët e kundërzbulimit francez e vëzhgonin nga afër kërcimtaren, kur ajo shkonte për darka, në suitën e hotelit me zyrtarë të lartë të ministrisë së Jashtme. Kur agjentët e kundërzbulimit francez ishin gati të mbyllnin dosjen për Mata Harin, një oficer i lartë francez, mik i ngushtë i Mata Harit, rregulloi që të merrte një lejekalimi speciale për të shkuar afër fshatit Vitel, afër vijës së frontit.[…] Kohë më vonë do të zbuloheshin elemente kuriozë në mesazhet e radiove të përgjuara në Kullën Eifel. Numrat e dosjeve franceze tregojnë, se Ladoux vuri në dispozicion të prokurorisë mesazhet që e përcaktonin Mata Harin si spiune në prill të vitit 1916 dhe jo në dhjetor dhe janar, siç pretendonte Ladoux se ishin dërguar. Me sa duket, Ladoux ishte personi i vetëm që i kishte parë mesazhet origjinale para se të deshifroheshin dhe përktheheshin. Po ashtu, mësojmë se këto mesazhe ishin zhdukur nga arkivat, sipas Konica.al/ Përpos gjithçkaje, përmbajtja e tyre do të përdorej dhe do të kishte pasoja të tmerrshme për kërcimtaren. Edhe Ladoux u akuzua për spiunazh dhe u arrestua, por arrestimi i tij nuk do ta shpëtonte gruan e re. Mëngjesin e 13 shkurtit 1917, Mata Harri u arrestua dhe u çua në burgun fortesë të Sën Denis. E shpallur fajtore për të gjitha krimet për të cilat akuzohej, Mata Hari dënohet me vdekje me pushkatim. Paraqitja e fundit e Mata Harit ishte e përkryer, mbase përfaqësimi më i bukur i jetës së saj. Hijeshia dhe qëndrimi e bënë rreshterin që komandonte togën e pushkatimit të thoshte: “O Zot! Kjo grua di si të vdesë!”.

Për 100 vitet e fundit, Mata Hari është nderuar si femra fatale, si kërcimtarja joshëse dhe ekzotike që spiunonte gjermanët gjatë Luftës së Parë Botërore dhe shkaktoi vdekjen e mijëra ushtarëve të aleatëve. Ajo pushtoi imagjinatën e njerëzve në mbarë botën, shumë kohë pasi u ndesh me fatin e saj.Ata donin që ajo të ishte manipuluese, agjente e dyfishtë, gllabëruese e burrave, mbi të gjitha e pamoralshme. Në kapërcyellin midis dy botëve, fundi i shekullit XIX në frenezinë e Belle Epoque dhe shekullin tragjik XX, Mata Hari qe mbi të gjitha pre e ngathët dhe e pavetëdijshme e rrethanave, viktima indirekte e tërbimit të njerëzve në një luftë mishngrënëse, që kërkonte viktimat e spiunazhit. Mbrëmja e fundit në histori, miti i mbijeton legjendave, thashethemeve dhe dezinformatave. Në moshën 41-vjeçare, gruaja e braktisur nga të gjithë, e cila, ra nën plumbat francezë më 15 tetor 1917, ruan pamjen e saj dhe këtë fuqi të çuditshme magjepsjeje, që e bën atë, një karakter mitik në imagjinatën e gjithsecilit./Konica.al