MENU
klinika

Kategoria e Parë, Java 4

Në Grupin A vetëm barazime, pretendentët ia dalin në B

28.11.2020 - 16:33

Kanë përfunduar ndeshjet e javës së katërt në Kategorinë e Parë. Në Grupin A, binte në sy transferta e Dinamos në transfertë ndaj Veleçikut. Sfida u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0, ku asnjëra prej ekipeve nuk ia doli të konkretizonte rastet.

Sfida tjetër mes Besëlidhjes dhe Burrelit nuk prodhoi gola edhe pse dy ekipet luftuan deri në fund për të marrë suksesin. Madje, miqtë shpërdoruan edhe një penallti me sulmuesin Raboshta, teksa pas kësaj sfide kanë 10 pikë në llogari duke ndarë kreun e klasifikimit me Korabin.

Ndërkohë, Korabi u ndal në një barazim 1-1 ndaj Partizanit B. Në fakt, miqtë ishin duke shkuar drejt suksesit pas golit të Lalës, megjithatë 14 minuta nga fundi i ndeshjes Bërdufi realizoi për t’i dhuruar të tijve pikën e parë pas tri ndeshjeve.

GRUPI A

Partizani B-Korabi 1-1

76′ Bërdufi, 51′ Lala

Veleçiku-Dinamo 0-0

Besëlidhja-Burreli 0-0

Në Grupin B, Lushnja ia doli ndaj Elbasanit. Këta të fundit i kanë bërë një start negativ kampionatit, e kështu vazhdoi kjo gjendje edhe në ditën e sotme ku u mposhtën 0-1. Për lagunarët, vendimtar ishte goli i Xekës në minutën e 45.

Egnatia nuk e pati aspak të vështirë ndaj Flamurtarit duke i mposhtur vlonjatët në shtëpi me rezultatin e pastër 3-0. Të besuarit e trajnerit Gugash Magani kanë objektiva madhorë në këtë sezon, e këtë po e tregojnë më së miri ndeshje pas ndeshje, teksa aktualisht janë në vendin e parë me 10 pikë.

Golat për skuadrën rrogozhinase i shënuan Magani me Celhakën në pjesën e parë dhe në të dytën realizoi Shtubina. Sakaq, te Flamurtari situata mbetet shumë e rënduar, teksa kanë mbledhur vetëm një pikë.

Ndërkaq, edhe Besa e trajnerit Artan Mërgjyshi mori një trepikësh të rëndësishëm në shtëpi, teksa mposhti me rezultatin 2-0 Turbinën. Kavajasit shënuan një gol për pjesë, fillimisht me Silva Amarente e më pas me Peqinin. Pas kësaj sfide, verdhezinjtë renditen në vendin e dytë me nëntë pikë, ndërsa Turbina ka vetëm një pikë.

GRUPI B

Besa-Turbina 2-0

32′ Silva Amarente, 80’Peqini

Elbasani-Lushnja 0-1

45’Xeka

Egnatia-Flamurtari 3-0

9’Magani, 43’Celhaka, 78’Shtubina