MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Shumë sfida e presin Bidenin, por le të festojmë tani!

08.11.2020 - 09:28

Çfarë udhëtim! Dhe çfarë përfundimi.

Joshës, mundues, rraskapitës, i jashtëzakonshëm. Emocionet nga gara më e afërt, më e rëndësishmja e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, dhe agonitë e pasojave të saj të pafundme, janë të vështira për t’u shprehur në mënyrë adekuate. Sidoqoftë, një ndjenjë e vetme e fuqishme, ngazëllimi, përshkon konfuzionin dhe zhurmën. Çfarë gëzimi! Çfarë lehtësimi.

Më në fund, Amerika dhe bota po ringjallen nga një udhëtim i gjatë në errësirë. Makthi po mbaron.

Donald Trump, ai më i padenji për funksionarët e Shtëpisë së Bardhë, është mundur. Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ashtu siç kishin dëshiruar shumë nga e majta.

Joe Biden, sfiduesi i suksesshëm i Trump dhe partia Demokratike performuan më pak mirë nga sa pritej. Pas disa ditësh numërimi, kjo betejë  ka mbaruar.

Pas ditësh dyshimi, më në fund është e sigurt se Trump nuk ka arritur të sigurojë një mandat të dytë, ka humbur ndaj Biden me një diferencë prej të paktën 4 milion votash në garën për votën popullore dhe, ç’është më e rëndësishmja, nuk mund të komandojë një shumicë në kolegjin zgjedhor. Në janar, Amerika do të ketë një president të ri duke premtuar një fillim të ri dhe shërim të ri pas katër viteve të trazuara dhe të turpshme.

Ndarje të thella

Ndërsa ky është me të vërtetë një shkak për festë, ai është gjithashtu një moment për përulësi dhe reflektim. Biden mori një numër rekord të votave të të gjitha kohërave, më shumë se 74 milion, ose gati 51%. Megjithatë, totali i Trump, prej më shumë se 70 milion, ishte i dyti më i madhi ndonjëherë, që dilte nga pjesëmarrja më e madhe që nga viti 1900. Vetëm këto shifra të jashtëzakonshme flasin për ndarjet e thella që shkatërrojnë Amerikën bashkëkohore. Janë  një paralajmërim. Nuk mund të zhduken me magji.

Rikthimi i besimit në drejtësinë e zgjedhjeve është ndoshta problemi më urgjent me të cilin përballet Biden. Sjellja e presidentit të zgjedhur që nga nata e zgjedhjeve ka qenë një mësim për qytetarinë e përgjegjshme.

Ai ka qenë i qetë, dinjitoz dhe pajtues, duke theksuar se të gjitha votat, republikane dhe demokratike, duhet të numërohen dhe t’u jepet pesha e barabartë. Ai tashmë ka bërë shumë për të zbutur tensionet e momentit.

Largimi i Trump

Aderimi i Biden ndaj parimeve të para demokratike është në kontrast të fortë me  Trump. Trump ishte zotuar më parë të refuzonte rezultatin nëse humbte dhe nuk hezitoi. Brenda disa orësh nga përfundimi i votimit, ai pretendoi se kishte fituar.

Trump ka baza të pakta ligjore për të sfiduar rezultate. Por zemërimet e tij janë një kujtesë se sa i tmerrshëm dhe joparimor ka qenë Trump.

Siç thotë Biden, SHBA përballet me një krizë ekonomike, një krizë racore të drejtësisë dhe një krizë besimi në vetë demokracinë, të gjitha vijnë në kohë pandemie që i ka kushtuar gati një çerek milioni jetë. Trump, për pjesën më të madhe, i ka përkeqësuar këto probleme.

Ai e ndau vendin kur ishte më e nevojshme të bashkohej. Ai e kthye amerikanin kundër amerikanit, dhe Amerikën kundër botës. Ai kërkonte avantazh personal kur vizioni, aftësia dhe altruizmi ishin shumë të nevojshme. Ai dështoi në vendin e tij.

Konflikti në të majtë
Besimi në të djathtë mund të rritet gjithashtu nga konflikti në të majtë. Nuk kanë kaluar kaq shumë muaj që kur kandidati Biden, një humbës i madh në Iowa dhe New Hampshire, u sulmua nga reformatorët radikalë si Bernie Sanders, Elizabeth Warren dhe Pete Buttigieg. Si përgjigje, Biden u zhvendos majtas.

Disa ose të gjithë këta rivalë të dikurshëm mund të bashkohen me një kabinet të Biden. Sanders thuhet se ka aplikuar për një punë. Dhe Biden sigurisht që ka nevojë të ndërtojë një koalicion qeverisës sa më të gjerë dhe të larmishëm. Por Biden, nuk do të jetë në gjendje t’i kënaqë të gjithë.

Sfida e Biden
Problemet e Biden në shtëpi përputhen me trashëgiminë  globale të Trump. Sfida e madhe, ideologjike është ngritja globale e udhëheqësve populistë anti-demokratik, autoritar dhe të djathtë, të cilin Trump i inkurajoi në mënyrë aktive. Biden është zotuar të kryesojë një aleancë të demokracive për të sprapsur këtë përparim.

Pastaj ka çështje specifike që kërkojnë veprim urgjent, kryesisht pandemia dhe kriza e klimës. Biden thotë se ai do të bashkohet përsëri me marrëveshjen e Parisit, do të shkurtojë emetimet e karbonit në SHBA, tranzicionin nga nafta dhe do të gjelbërojë ekonominë. Ai do të përpiqet të zbusë qëndrimin e rrezikshëm me Iranin dhe të ndryshojë sjellje me Vladimir Putinin e Rusisë. Biden premton të jetë i ashpër me Kinën. Tajvani mund të jetë prova e madhe.

Për Boris Johnson, megjithëse jo për Britaninë, presidenca e Biden është një moment i vështirë. Biden vlerëson aleancën dypalëshe. Ai dëshiron të ringjallë lidhjet transatlantike, të simbolizuara nga NATO. Por ai gjithashtu dëshiron një partneritet të fortë BE-SHBA.

Me kaq shumë në pjatën e tij, shumë mund të pyesin nëse Biden, së shpejti 78 vjeç, mund t’i përballojë.

Megjithatë, shumë më i rëndësishëm se mosha e tij është fakti se ai është një udhëheqës i mirë, i ndershëm dhe me përvojë.

Nëse dikush mund të rregullojë dëmet e shkaktuara nga Trump dhe t’i rikthejë Amerikës shëndetin politik dhe fizik, është ai.

Më e rëndësishmja, në këtë moment të rrezikshëm, Biden ka provuar se është fitues. Kënaqësia është plotësisht e justifikuar.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ konica.al