MENU
klinika

Trajneri i Kukësit

Gega lë spitalin dhe kthehet në Shqipëri

02.12.2020 - 10:25

Trajneri i mirënjohur shqiptar, që aktualisht drejton Kukësin, Skënder Gega, ka kaluar koronavirusin dhe problemet shëndetësore që i krijoi infeksioni i rrezikshëm. Lajmi i mirë është dhënë sot nga klubi verilindor.

Tekniku më në fund ka lënë spitalin dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Gega pati udhëtuar drejt Turqisë një javë më parë, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore për shkak të Covid-19.

Falë ndjekjes në strukturë të specializuar, Gega arriti të kalonte këto shqetësime dhe klubi bëri të ditur se tashmë ai do të niset drejt Shqipërisë, ku në ditët në vijim do të kthehet përsëri në drejtimin e skuadrës.

“Trajneri Skënder Gega ka lënë sot spitalin! Duke parë ecurinë pozitive, efektin dhe rezultatet pozitive të terapisë, doktorët kanë dalë në konkluzion dhe falë progresit pozitiv që ka qenë shumë i shpejtë duke rregulluar të gjitha parametrat, është lejuar të fluturojë drejt Tiranës.

Gega mbërrin sot në Rinas në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe shumë shpejt do t’i bashkohet ekipit. Gega u kurua në BHT Clinic dhe doktori specialist që e ndoqi me shumë përkushtim ishte shqiptari Gersi Alisha. Në emër të klubit të Kukësit e falënderojmë”, – shkruan klubi i Kukësit në njoftimin e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN