MENU
klinika

Grand Slam i parë i vitit në tenis

Qeveria nuk toleron, shtyhet Australian Open

02.12.2020 - 17:10

Grand Slam i Australian Open do të nisë më 8 shkurt 2021, pra 3 javë më vonë se data 18 janar e parashikuar për zhvillimin e turneut të parë të madh të vitit të ardhshëm. Lajmin e konfirmojnë mediat australiane, që i referohen një letre që drejtori i turneut Craig Tiley u ka nisur tenistëve.

Pas shumë javësh dyshimesh, bisedimesh dhe takimesh, qeveria australiane nuk ka hequr dorë nga karantina 2-javore që tenistët dhe stafet e tyre do të kryejnë pasi ata të zbarkojnë në Melbourne si pasojë e pandemisë Covid 19.

Gjithsesi, tenistët do të gëzojnë një privilegj, për t’u stërvitur një ose dy herë në ditë në ambiente të veçanta. Ndërsa java e parë e shkurtit do të shërbejë për tenistët që të marrin pjesë në një turne të “vogël”, për të testuar veten para Australian Open.

Gjithnjë, nëse ata mbërrijnë para datës 15 shkurt në Melbourne dhe zhvillojnë dy javë karantinë, ku do të kryejnë edhe tamponët dhe respektojnë masat anti-Covid.