MENU
klinika

Moto GP

Rossi largohet me polemika nga Yamaha

14.12.2020 - 16:57

Lamtumira e Valentino Rossi nga Yamaha duket se nuk ka një “happy end”, pasi palët po ndahen mes polemikave. Është piloti italian ai që ka lëshuar akuza karshi motorit japonez. “Inxhinierët e Yamaha i dëgjojnë të gjithë pilotët, pasi e dinë që prej kohësh kanë të njëjtat probleme, por në fund bëjnë atë që duan vetë”, – tha Rossi.

“Doktori”, sezonin e ardhshëm do të garojë në Moto GP me Yamaha Petronas, motorin satelit të Yamaha. “Edhe pse na dëgjojnë, ata e kanë më herët në kokën e tyre atë që duan të bëjnë. Ndaj, gjithçka është e kotë”, – shtoi Rossi.

Motori Yamaha, këtë sezon, fitoi më shumë gara në Moto GP se çdo markë tjetër, por nuk fitoi asnjë nga titujt kampionë, për pilotë dhe konstruktorë. “Mendoj se edhe sezonin e ardhshëm do të përfshihem në zhvillimin e motorit, ashtu si këtë vit, ndaj nuk pres të ndryshojnë shumë gjëra. Unë do të vihëm në dispozicion për të kuptuar nivelin tim dhe të kuptojmë se për çfarë kemi nevojë”, – përfundoi Rossi.