MENU
klinika

Vetëm biçikleta 66 mijë euro

Shiten sendet e Pantanit, kompania paguan 2 mijë vetë

14.12.2020 - 21:23

Është ndarë nga jeta në vitin 2004, 16 vjet më parë, por çiklisti italian Marco Pantani vijon të mbushë arkat e skuadrës Mercatone Uno. Emri i tij mbetet në krye të dëshirave të tifozëve.

Së fundmi, skuadra me të cilën fitoi gjithçka, është drejt falimentit dhe për të shpëtuar ka nxjerrë në shitje rreth 37 relike të përdorura nga Pantani. Në ankandin e zhvilluar, skuadra italiane ka fituar plot 161 mijë euro, 66 prej të cilave nga shitja e biçikletës fituese të Tour de France në vitin 2000.

Shifra e grumbulluar pritet të përdoret për të paguar 2 mijë punonjësit e kompanisë italiane, teksa 37 artikuj u blenë nga një grup biznesmenësh italianë të kryesuar nga trajneri i kombëtares italiane të çiklizmit, Davide Cassani, me koleksionin që do t’i dhurohet muzeut Pantani.

Biçikleta ishte ajo me të cilën Pantani mundi Lance Armstrong. Kjo nuk është hera e parë që një biçikletë e përdorur nga Pantani shitet në ankand. Mjeti i përdorur nga Pantani në stërvitjen e Lojërave Olimpike të Sidney në vitin 2000 u shit për shifrën rekord të asokohe 46 mijë euro.