MENU
klinika

Joshje dhe gjëegjëza elegante...

Si e shijuan jetën fisnikët francezë të shekullit të 18-të

11.12.2020 - 14:00

       Edhe pse libër historik, gjithçka në brendësi është e vërtetë

“Libertinët e fundit”, nga Benedetta Craveri

    Është romani i zjarreve të fundit të monarkisë, kronika e një civilizimi sqimatar të pabarabartë, të cilën do ta zhdukë njëherë e përgjithmonë viti 1789. Romani i vërtetë i shtatë fateve, secili emblematik dhe unik në të njëjtën kohë: aristokratë me prejardhje të fisme, pajisur me virtyte që çdo fisnik duhet të jetë krenar: krenari, guxim, përsosmëri, kulturë, shpirt, arti i kënaqësisë. E njohin njëri-tjetrin, janë kushërinj ose rivalë, libertinë në një shoqëri ku mund të dashurojmë si ua ka ënda, pasi martesat marrëveshje. Dashnore zyrtare ose sekrete, lidhje epistolare dhe të zjarrta, inate, kënaqësi, mandej fatkeqësi… Njëherazi, secili prej tyre dëshiron të trillojë një fat. Takohemi me Talejrandin, Laklosin, Mari-Antuanetën kur ishin në lule të rinisë, kronikat grishëse të Prëns dë Linj apo Konteshës dë Buanj, shënimet, poezitë që kjo elitë e shkolluar dhe kozmopolite shkëmben në çdo orë të ditës./Konica.al/ Mirëpo, ata janë njëherazi edhe fëmijë të Iluminizmit dhe i mirëpresin idetë e reja, duke besuar se do pajtoheshin me privilegjet e tyre. Mirëpo, Revolucioni do ta zhdukë këtë shpresë. Disa do të rrokin armët, të tjerët rrugën e mërgimit; për dy prej tyre do të jetë rrënimi, gijotina. Për të gjithë, fundi i një bote. Benedetta Craveri ka kompozuar një homazh madhështor për këtë brez të humbur, i cili mishëroi, më shumë se kushdo tjetër, një lloj ëmbëlsie jete.

Pasi kaluan tmerret e revolucionit francez, shumë prej aristokratëve të mbijetuar u ulën të hidhnin në letër kujtimet e viteve të fundit të regjimit të kaluar dhe trazirat që pasuan. Rrallëherë ka pasur një vërsë, apo një grup njerëzish, kaq të përkushtuar për të kujtuar dhe regjistruar, ekzistenca e të cilëve ishte parashikuar në mprehtësinë e mendimit dhe shprehjen elokuente. Shpesh shkruanin në kohëzgjatje: kujtimet e Dukeshës d’Abrantes kapin 18 vëllime; ato të Konteshës dë Zhelis deri në 10. Nevoja për të shkruar lindi jo vetëm nga nostalgjia e kohës kur qenë të pasur dhe të fuqishëm, por edhe nga dëshira për të rregulluar përgjithmonë “format, shpirtin dhe sjelljet që i përkisnin botës së shoqërisë së lartë”.

Në mesin e këtyre personave gjendeshin edhe shtatë burra, të cilët Benedetta Craveri i ka përzgjedhur si vazhdim i “Mosha e bisedës”, një rrëfim i mrekullueshëm për gratë që kryesuan sallonet pariziane të shekujve 17-të dhe 18-të. Fatkeqësisht, jo të gjithë jetuan për të parë fundin e revolucionit, por ata kishin shkruar, në një mënyrë ose në një tjetër, për dekada me radhë dhe letrat dhe ditarët u gjetën dhe u botuan, së bashku me përshkrimet, prej atyre që arritën të mbijetonin. Katër – Duka dë Lozyn (më vonë Duka dë Biron), Duka dë Brisak, Shevalier dë Bufle, Konti dë Narbon – ishin ushtarë, dikur diplomatë dhe politikanë. Vikomti Zhozef-Aleksandrë dë Segyr ishte poet dhe krijues këngësh; Konti Lyi-Filip dë Segyr, diplomat dhe historian. Konti dë Vodrëj ishte koleksionist artesh dhe aktor amator i talentuar. E përbashkëta ishte se i përkisnin fisnikërisë feudale dhe shijonin “douceur de vivre” (ëmbëlsinë e jetës) të Talejrandit të famshëm. Ata ishin mendjemprehtë, elegantë, të sjellshëm, fisnikë dhe të kulturuar, megjithëse mund të ishin po aq edhe arrogantë dhe hakmarrës./Konica.al/ Ata ishin joshës, nisur edhe nga titulli, ata ishin libertinë, në një epokë kur të kishe dashnore dhe t’i pranoje hapur, gjithçka ishte pjesë e vallëzimit elegant të sjelljeve në oborrin e Francës. Megjithatë, thuajse të gjithë ishin të vetëdijshëm për nevojën për ndryshim, përshëndetën me entuziazëm përfaqësuesit e Estates General në 1789, madje besuan se idealet e drejtësisë, tolerancës dhe qytetarisë, siç përshkruheshin nga filozofët e Iluminizmit, mund të shkriheshin me privilegjet e tyre dhe të përktheheshin në progres politik. Po ashtu, ishin të guximshëm, pasi ditën të përballeshin me rrezikun, mërgimin dhe varfërinë. […]

Dashuria, pasioni, intriga dhe xhelozia i konsumuan, në kohë të ndryshme, secilin nga personazhet e Craverit. Kjo nuk e ndaloi dë Bufler dhe lozonjaren Konteshë de Sabran, të cilën ai përpiqej ta fitonte me letra të bukura me rrëfime të ndiera plot thënie dashurie, të prodhonte atë që njihet mbase si korrespondenca franceze më romantike, më e paharrueshmja e shekullit të 18-të. […]  Kur Konti dë Segyr, së bashku me ambasadorët e Anglisë dhe Austrisë, shoqëruan Katerinën e Madhe në një udhëtim mbretëror gjashtëmujor nga Shën Petërburgu në Krime, udhëtuan me 14 karroca në madhësinë e shtëpive të vogla, secila e montuar në ca saje tërhequr nga tetë kuaj, rruga e tyre ndriçohej nga pirgje druri flakëruese, mbrëmjet kalonin duke argëtuar njëri-tjetrin me gjëegjëza, parodi dhe madrigale… Kur Konti dë Segyr deshi të kthehej në Paris në 1789, Katerina e paralajmëroi për “stuhitë, shtrirjen e gjerë të të cilave ndoshta nuk i shihte” dhe se ai do ta gjente “Francën të etur dhe thellësisht të sëmurë”. Segyri shpëtoi nga tricoteuses dhe vazhdoi t’i shërbente Napolonit dhe Luigjit XVIII, mirëpo jo të gjithë patën fatin e tij. Brisak u bë copash nga turma, kurse Lozyn shkoi në gijotinë, por ata ditën t’i bëjnë ballë me burrëri. Siç shkroi më vonë Hippolyte Taine: “Një formim fuqiplotë kishte ndrydhur, zbutur dhe leqendisur vetë instinktin. Përpara vdekjes, ata nuk përjetojnë asnjë nga reagimet e gjakut dhe tërbimit… pasi një trazirë në ato momente do ishte veçse me shije të keqe”. Portreti i pasur i këtyre shtatë personazheve prezanton një moment të jashtëzakonshëm në historinë franceze./Konica.al