MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 6

Sot dita e derbit, fiton Tirana apo Partizani?

04.12.2020 - 10:41

Në mbrëmje, në orën 18:00, në “Air Albania”, nis derbi i parë i kryeqytetit për këtë sezon të ri. Sytë e dy tifozërive të zjarrta kryeqytetase, por jo vetëm, do të jenë te ballafaqimi agonistik historik, që nuk njeh “valenca” momentale të skuadrave respektive, por është gjithmonë “luftë”.

Natyrisht, në këto kohë pandemie, diçka mungon, “qershia mbi tortë”, që janë tifozët, të cilët nuk mund të jenë në stadium për të mbështetur skuadrat e zemrës, për ta luajtur derbin ashtu siç dinë ata; para, gjatë dhe mbas duelit, në kërkim të “fronit” të qytetit.

Megjithatë, Nevil Dede dhe Ilir Daja, dikur kampionë së bashku tek Elbasani në rolet të ndryshme, lojtar-trajner, kanë egon dhe staturën profesionale për t’i dhënë “zjarr” përballjes së sotme.

Mungon “Hajmalia” e bardhebluve, Emanuel Egbo, i cili thuajse një vit më parë ndryshoi kursin e ndërqytetases në favor të të tijve, pas 5 vitesh “diktaturë” të Partizanit. Të kuqtë kanë “spaletat” e kryesuesve të Superiores, pas 5 javësh kampionat, ndërsa kampionët e vendit në fuqi janë disi të zhbilancuar, pesë pikë më pak, në vendin e 7-të të klasifikimit momental.

Referuar edhe ecurisë së tri ndeshjeve të fundit, duket qartë se “demat” janë më lart psikologjikisht. Megjithatë, e thamë edhe më lart, të tilla qasje nuk kanë shumë vlerë në derbi. Aty luftohet pa kompromis, jepet gjithçka, sipas motos së tifozërive: Derbi nuk luhet, por fitohet!

Derbi vlen më shumë se krejt kampionati! Prandaj, le t’ia lëmë fushës së lojës verdiktin nal. Kjo e premte është e veçantë për kryeqytetasit, sepse quhet “Derby Day”. Të gjithë jemi sy dhe veshë andej…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN